Nga: Nic ROBERTSON

Për ata që nuk kanë qënë në Davos më parë ose kanë menduar rreth aftësisë së tij magnetike për të tërhequr elitën globale, Davos është një vend ku duhet të biesh në sy dhe më e rëndësishmja të dëgjohesh.

Tema e forumit këtë vit është “Krijimi i një të ardhme të përbashkët në një botë të frakturuar”.

Tre ditë më parë arrita në Davos gjatë reshjeve më të rënda të dëborës në 20 vitet e fundit në Alpet zviceriane – një vend krejtësisht ndryshe nga shkretëtira e Jemenit që kisha lënë pas. Për gati një javë qëndrova në Jemen duke raportuar histori që shumë pak gazetarë perëndimorë kanë patur akses që nga fillimi i luftës civile në vend.

Bashkë me ekipin e CNN, shkuam lart në malet e Jemenit, në vijën e frontit me forcat e qeverisë, shumë afër kryeqytetit Sanaa. U takuam me fëmijë ushtarë, doktorë, guvernatorë të frustruar me qeverinë, biseduam me njerëzit e lodhur nga lufta, intervistuam Kryeministrin Ahmed bin Dagher dhe vizituam portet e Jemenit. Por gjëja që më bëri më shumë përshtypje është ajo që pashë në Univeritetin e Adenit.

Organizata e Kombeve të Bashkuara e përshkruan Jemenin si skena e krizës humanitare më të keqe në botë. Nëse ka një pikë frakture aktualisht në planet, duhet të jetë ai vend.

Kryeministri italian Paolo Gentiloni- vendi i të cilit mban barrën e një prej problemeve më të mëdha globale, emigrimin- foli me pasion në Davos rreth kësaj çështje dhe nevojën për të menaxhuar shkaqet e saj kryesore.

Dhjetëra mijëra emigrantë ekonomikë udhëtojnë nga Afrika Sub-Sahariane, të tërhequr nga shkëlqimi ekonomik i globalizimit që pasuron Evropën. Miliona të tjerë janë arratisur nga lufta dhe mungesa e stabilitetit, dhe rrezikojnë jetën e tyre duke kaluar Detin e Mesdheut me gomone dhe varka peshkimi.
Drejtorët Ekzekutivë të Wall Street i shohin frakturat ndryshe nga të tjerët – dhe me të drejtë ata shfaqen të sigurtë në Davos rreth vlerësimeve mbi një rimëkëmbje ekonomike të gjerë globale dhe rëndësinë e kthimit të besimit në tregjet amerikane.

Por siç e thashë më lart, ajo që më bëri përshtypje në Jemen ishte vizita në Universitet.

Nuk kisha parë printer 3-D më parë. Ndërsa po ecnim në kampin e universitetit, u takova me presidentin dhe zëvendësin të cilët donin të më tregonin të gjithë projektet e mëdha që po bënin studentet. Në fakt, ata kishin mbledhur disa qindra studentë në një sallë të madhe, secili grup me projektet e tij, dhe na treguan ato që menduan se ishin më interesante. Ndërsa shikoja projektet, vura re një printer 3-D që bënte proteza gjymtyrësh. I kishin blerë pajisjet online nga Kina dhe kishin mësuar si ta përdornin nga udhëzimet në videot e YouTube.

Studentët më treguan se nuk ju intereson fare politika, ata thjesht duan paqe dhe punë. Ajo që unë shoh në këto fraktura është se nëse në Jemen nuk do vendoset paqja shpejt, këta të rinj inteligjentë, dhe të tjerët që nuk shohin një shpresë për të realizuar potencialin në vendin e tyre, do të përfundojnë në varkat në detin e Mesdheut, me shpresë që të marrin sado pak nga globalizimi.

Davos është një forum i mrekullueshëm për të diskutuar këto çështje, por nga një udhëtim në malet e Jemenit mund të përfitojnë shumë ata pjesëmarrës që e kuptojnë shumë mirë situatën në planet, përtej kufijve të disa ndërtesave në Manhattan.

Artikulli i botuar në CNN

(Përktheu për BalkanWeb/Aleksandra Kola)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: