Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, në emisionin “Open” në News24 tha se opozita vendosi që t’iu bëjë shqiptarëve transparent buxhetin.
“Ky është buxheti më i madh në vjedhje në këto vite të Rilindjes. Edi Rama dhe Rilindja ka vetëm propagandën shtyllë të punës së tyre, ky është një narko-buxhet. Dy ditë ekspertiza e opozitës e nxorri zbuluar gjithë narko-buxhetin”, tha Noka.
Ai u shpreh se një buxhet që vjen pa paketë fiskale bëhet për të kamufluar çdo vjedhje që do të bëhet.
“Kur një qeveri që do të bëjë transparencë sjell buxhetin bashkë me paketën fiskale. Vetë Kryeministri zgjodhi që vetëm të hakërrehej sepse nuk kishte si të mbronte këtë buxhet”, tha Noka.
Ai tha se ky nuk është buxhet për pensionistët. “I rriti pensionet vetëm 4.1 % pensionistët, ndërkohë që buxheti është 8.2 mld euro. Në Kosovë pensionet u rritën me 20%, kur buxheti është 3.2 mld euro. Një qen që mbajnë në shtëpi qeveritarët ha në një vakt 8 mijë lekë, ndërsa këta i japim pensionistit për të blerë ilaçet, për tu larë e ushqyer 8 mijë lekë ose maksimumi 15 mijë lekë”, tha Noka.
Sipas tij, nga viti 2014 deri në 2024, pensionet janë rritur 26 % ndërsa inflacioni është rritur 34 %. “Vetëm nga inflacioni, pensionisti sot merr 8 % më pak se 10 vjet më pak. Për fermerët, fondi i caktuar është tallje dhe poshtërim”, tha Noka.
I pyetur nëse rezultoi produktive protesta jashtë Parlamentit dhe debati brenda sallës së Kuvendit, Noka u shpreh se i gjithë aksioni opozitar brenda dhe jashtë kishte vetëm një qëllim që të bëhej transaparenca.
“Protesta para Kuvendit u thirr në një solidarizim me pensionistët, ishte protestë e pensionistëve”, tha Noka. Ai tha se mosbindja civile nuk lidhet me pjesëmarrjen. “Mosbindja civile edhe 5 vetë atje dhe 5 këtu e kryejnë misionin. Pjesëmarrja ishte e shkëlqyer. Për ne nuk ka rëndësi numri, nuk kishim thirrur mijëra protestues për të rrëzuar Kuvendin”, tha Noka.