Drejtoria e Policisë Fier ka finalizuar operacionin policor të koduar “Pronat”, i cili ka çuar në sekuestrimin e 19 pasurive të paluajtshme në Tiranë dhe Durrës. Pasuritë janë të lidhura me shtetasin Nikolin Gjolena, një pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal të akuzuar për trafikim të lëndëve narkotike.

Ky shtetas, i cili është dënuar nga Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar (GjKKO) me 12 vjet burgim për trafikun e lëndëve narkotike, kishte tjetërsuar këto pasuri me vlerë totale rreth 2.5 milionë euro në favor të të afërmve të tij.

Operacioni, i zhvilluar në koordinim me Prokurorinë e Fierit dhe pas një hetimi të thelluar, ka çuar në sekuestrimin e pasurive të mëposhtme: 10 apartamente në Durrës, 5 apartamente në Tiranë, 1 njësi tregtare dhe 2 garazhe në Tiranë.

Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare i DVP Fier po vijon hetimet për identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera që mund të jenë përfituar nga veprimtaria kriminale e Gjolenës dhe individëve të lidhur me të.

Njoftimi i policisë:

DVP Fier/Finalizohet operacioni policor i koduar “Pronat”.

Sekuestrohen 19 sende të paluajtshme, në Tiranë dhe Durrës, prona të pjesëtarit të një grupi të strukturuar kriminal për trafikim të lëndvë narkotike.

Ky shtetas, i dënuar nga GjKKO-ja, me 12 vjet burgim, i kishte tjetërsuar këto pasuri me vlerë totale rreth 2.5 milionë euro, në favor të të afërmve.

Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Fierit, pas hetimit të kryer në koordinim me Prokurorinë e Fierit, me objektiv gjurmimin dhe sekuestrimin e aseteve të krimit, Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare i DVP Fier sekuestroi pasuritë e shtetasit N. Gj., 36 vjeç, të dënuar me 12 vjet burgim nga GjKKO-ja, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Konkretisht u sekuestruan: 10 apartamente në Durrës, 5 apartamente në Tiranë, 1 njësi tregtare në Durrës, 2 garazhe në Tiranë dhe 1 ndërtesë në Tiranë.

Vijojnë hetimet për gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera që ky shtetas dhe shtetasit e lidhur me të, mund të kenë përfituar nga veprimtaria kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb