TIRANE

300 mijë shërbime, 93% e të cilave brenda afateve të caktuara ligjore ka ofruar për qytetarët hipoteka e Tiranës gjatë vitit që lamë pas. Në analizën e punës së kryer nga zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme në Tiranë, kryeregjistruesi Valdrin Pjetri tha se 2018-a shënoi një pikë kthese në zyrat e hipotekës, ku u gjetën praktika të patrajtuara, jashtë afatit dhe radhë të gjatë qytetarësh. Risi në këtë vit ishte ofrimi i shërbimit Fast Track.

“Për vitin 2018-të unë mund ta quaj një vit i sukseshëm për ZVRPP të Tiranës, duke pasur një rritje të performancës qoftë në trajtimin e praktikave brenda afatit. Sot çdo qytetar e ka përgjigjen mbi praktikën e vetë. Shërbimi Fast Track që është një risi dhe padyshim një revolucion në rritjen e shpejtësisë por edhe në luftën e korrupsionit në ZVRPP”,- tha Pjetri.

Për vitin 2019 ndër 5 objektivat që kryeregjistruesi Pjetri synon të përmbushë, është dhe dixhitalizimi i arkivës, një projekt që pritet të startojë në shkurt për tu përmbyllur në fundvit.

“Sot në arkivat tona ne kemi 47 milionë fletë të akumuluara ndër vite që ruhen akoma në arkiva manual që rrezikojnë të prishen apo vjetërohen. Në inventarin fizik që bëmë para pak ditësh në zyrën e Tiranës rezulton të jenë rreth 10 mijë leje legalizimi akoma të paregjistruara dhe kemi vendosur target që deri në korrik 2019 të kemi përfunduar regjistrimin e çdo leje legalizimi”,- shtoi Pjetri.

Në nevojë të përmirësimit të shërbimit që ofrohet në institucionit që ai drejton, kreu i përgjithshëm i hipotekave, Valdrin Pjetri apeloi qytetarët të denoncojnë rastet abuzive në platformën e bashkëqeverisjes.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb