Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar përmes një postimi në Facebook pas takimit të zhvilluar në selinë e PL me ambasadorin Lamberto Zannier, kreun e Misionit të OSBE/ODIHR për vëzhgimin e zgjedhjeve të 11 majit. Sipas Metës, ky ishte një takim i rëndësishëm, pasi misioni e nisi pikërisht me Partinë e Lirisë rundin e konsultimeve me forcat politike.

Meta e cilësoi këtë proces zgjedhor si “më jetikun për Shqipërinë dhe përcaktues për integrimin europian”, ndërsa përfaqësuesit e Partisë së Lirisë ndanë me Zannierin shqetësime të thella mbi klimën elektorale.

Në deklaratën e tij, Meta rendit një sërë problematikash, përfshirë:

  • Shpërdorimin flagrant të buxhetit të shtetit,

  • Mijëra punësime të paligjshme me motive politike,

  • Keqpërdorimin e administratës dhe logjistikës shtetërore në funksion të fushatës së mazhorancës,

  • Presionin përmes patronazhistëve dhe përdorimin e shtetit për shitblerjen e votës.

Ai theksoi se këto fenomene janë rezultat i “kapjes së shtetit dhe institucioneve të pavarura nga Edi Rama, i cili po mban pushtetin me çdo mjet, përmes manipulimit dhe shantazhit.”

Meta komentoi edhe arrestimin e tij. “Për më shumë se 6 muaj, jam izoluar padrejtësisht pas një rrëmbimi të orkestruar nga qeveria, pa asnjë provë apo dokument penal,” – shkruan ai, duke e cilësuar këtë si një përpjekje për të ndaluar kandidaturën e tij si deputet në Tiranë dhe për të goditur opozitën.

Në fund të postimit, Meta nënvizon se përfaqësuesit e Partisë së Lirisë i shprehën ambasadorit Zannier gatishmërinë për të kontribuar në një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, duke theksuar rëndësinë e respektimit të standardeve demokratike.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb