TIRANE

Në deklaratën për mediat, pas takimit me ambasadorin e ri gjerman, kryedemokrati Lulzim Basha komentoi edhe rastin e denoncuar sot nga PD, për kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmaku. Basha tha se Kajmaku është një tjetër individ me precedentë të hapur penal, fakt për të cilin sipas tij kryeministri Edi Rama ka patur dijeni të plotë.

“Agim Kajmaku një tjetër individ me precedetë penalë në Greqi, për të cilin Rama e personat e tjerë përgjegjës kanë patur dijeni të plotë. Si Pjetri edhe Kajmaku sot ka mohuar precedentin, fakti është se është person me precedent penal të hapur me drejtësinë greke. Fakt i ditur nga Rama, i komunikuar nga partnerët dhe përsëri ai ka zgjedhur të kandidojë një person me precedentë në kundërshtim me ligjin e dekriminalizimit” u shpreh Basha ndërsa theksoi se çlirimi i politikës nga krimi përmes një procesi të rregullt zgjedhor është zgjidhja e vetme për ngërçin politik.


“Pyetja që shtrohet është sa të tjerë janë me precedentë penalë, dhe a nuk është kjo një provë tjetër se kriza ka një burim, kriminalizimin e plotë të Edi Ramës, që nuk përfaqëson më interesat e popullit. Çlirimi i politikës nga krimi përmes një procesi të rregullt zgjedhor të mbikëqyryr nga një qeveri tranzitore, që s’mund të ketë persona të lidhur me krimin kjo është e vetmja mënyrë për të nxjerrë Shqipërinë nga kjo krizë.” theksoi më tej Basha.


Për kryedemokratin vendi është në një moment delikat ndërsa paralajmëroi publikimin në ditët në vijim të platformës së PD dhe opozitës së bashkuar për një Shqipëri si Europa.


“Koha nuk pret jemi në moment delikat. PD e opozita do të shpalosi një platformë masash për Shqipërinë si Europa, si një plan kombëtar për të mos humbur më shumë kohë e mundësi duke mbyllur sërish derën e Europës për Shqipërinë, për t’i dhënë fund krizës, për të nxjerr kriminelët nga qeveria e për t’i cuar para drejtësisë. Platforma do të parashikojë disa masa, dhe do i nënshtrohet një debati të gjerë me të gjithë faktorët e interesuar, përfshi median, botën akademike. Shkodra, Vora e asgjësimi i prokurorisë dhe kthimi i saj në një shtojce të organizatës kriminale të rilindjes tregojnë që Shqipëria është në udhëkryq të rrezikshëm nga i cili duhet të dalë një orë e më parë.” theksoi Basha.

(BalkanWeb)