NGA: AURORA KOROMANI* TIRANE- Një shkëmbim zjarri mes dy grupeve në një nga lokalet e kryeqytetit për pak i ka kushtuar jetën një 29- vjeçareje, e cila ndodhej në të njëjtin lokal ku ndodhi ngjarja. Bëhet fjalë për Rezarta Laknorin, e cila mëngjesin e djeshëm mbeti e plagosur, teksa ishte ulur në një bar-caffe me bashkëshortin dhe fëmijën e tyre 6-muajshe.

Ngjarja është shënuar pranë zonës “Don Bosko”, pikërisht në një lokal në rrugën “Muzakët”, ku çifti i ri kishte kohë që banonte. Si çdo ditë, Rezarta dhe bashkëshorti i saj, Juliani kishin dalë të pinin kafe në lokalin poshtë pallatit të tyre dhe kishte kaluar disa minuta nga ora që ata të dy ishin ulur në kafe bashkë me vajzën e tyre, në momentin që 29-vjeçarja u plagos me një plumb në këmbë. Policia në fillim mendoi se objekt i sulmit ishte vetë e plagosura apo edhe bashkëshorti i saj, por pas sekuestrimit të pamjeve filmike dhe marrjes në pyetje të dëshmitarëve, uniformat blu dolën në konkluzione të tjera.

Aktualisht nga policia dyshohet se ngjarja e djeshme ka lidhje me një shkëmbim zjarri mes dy grupeve të cilët kanë qenë të ulur në tavolina të ndryshme. Uniformat blu pretendojnë se grupet rivale janë zënë me njëritjetrin fillimisht dhe më pas dy prej të rinjve janë larguar nga lokali për t’u kthyer sërish me armë. Mendohet se dy autorët kanë qenë të paarmatosur dhe kanë qenë në këmbë në momentin që kanë qëlluar në drejtim të lokalit, ndërsa dyshohet se është qëlluar edhe nga ana e katër personave të tjerë që ndodheshin në lokal, por aksidentalisht njëri nga plumbat ka kapur nënën e re. Burime policore sqarojnë se në vendin e ngjarjes janë gjetur afro 10 gëzhoja pistolete, disa prej tyre në pjesën e jashtme të lokalit dhe disa në rrugë. Hetuesit dyshojnë se në ngjarje janë përdorur dy armë zjarri, konkretisht nja pistoletë “Makarov” dhe një “TT”.

Sipas dëshmitarëve, 6 personat e përfshirët në këtë shkëmbim zjarri janë parë të largohen në këmbë në rrugicat e lagjes, ndërsa në një nga tavolinat ku mendohet se ishteulur njëri nga grupet e përfshira në këtë ngjarje, janë gjetur dy çanta krahu dhe disa celularë që mendohet se janë të tyre. Por, për të mësuar më shumë se çfarë ka ndodhur ditën e djeshme në lokalin ku u plagos 29-vjeçarja, “Gazeta Shqiptare” ka marrë në intervistë bashkëshortin e të plagosurës, Julian Laknorin.

INTERVISTA
Çfarë ndodhi mëngjesin e sotëm(dje)?
As vetë se besoj atë që ka ndodhur. Unë isha në kafe me bashkëshorten time si gjithmonë në momentin që ndodhi ngjarja. Edhe ne duam të dimë atë që ka ndodhur sot (dje) në mëngjes. Mbaj mend vetëm që kur dëgjuam të shtënat, unë dhe bashkëshortja ime, Rezarta, mbrojtëm të dy vajzën tonë të vogël.

Si u plagos Rezarta?
Po ne ishim ulur në një tavolinë dhe në momentin që dëgjuam të shtënat e armëve, të dy ne mbështollëm me duar vajzën e vogël të cilën e kishim vendosur tek karroca. Ngaqë e kishim vëmendjen tek vajza, nuk e pashë kur u plagos. Më pas kuptova se ishte plagosur dhe në atë moment nuk dija çfarë të bëja dhe më kapi paniku. Po personat që qëlluan arritët t’i shihnit? Nuk pashë asgjë, sepse u trondita shumë dhe e vetmja gjë që doja ishte që vajza dhe bashkëshortja ime të ishin mirë. Aq më tepër kur mora vesh se ishte plagosur edhe Rezarta, nuk e kuptoja më se kush qëllonte, në drejtim të kujt dhe çfarë po ndodhte, doja vetëm të shpëtoja gruan time. Pas ngjarjes kam marrë një makinë të rastit dhe kam dërguar Rezartën në spital, e cila fatmirësisht mjekët na thanë se është mirë.

Policia dyshon se në lokal pati shkëmbim zjarri mes dy grupeve, ju patë ndonjë person që të qëllonte nga lokali?
Ne ishim në terezinë tonë, duke pirë kafe si gjithmonë dhe nëse do e dinim se do të ndodhte një ngjarje e tillë, patjetër që do kishim fiksuar personat që qëlluan, kush ishte, nga erdhën plumbat. Vetëm kur dëgjuam krisma pistolete, kuptova se çfarë po ndodhte. Por, unë nuk kam fiksuar asnjë person që qëlloi nga lokali, dhe as ata që qëlluan nga rruga.

Në fillim policia dyshoi se objekt i sulmit mund të ishit ju ose bashkëshortja juaj, ju vetë keni konflikte me ndonjë person?
Unë dua të sqaroj se as unë, as bashkëshortja ime nuk kemi konflikte me njeri. Unë kam qenë dikur shofer në bashki, por ka më shumë se katër vite që e kam lënë atë punë dhe kam punuar gjithë jetën time punë të ndershme, gjithashtu edhe gruaja ime. Ne si familje kemi një jetë shumë normale. Unë nuk kam qenë kurrë në polici, nuk kam as precedentë të mëparshëm penalë, dhe kurrë në jetë nuk kam bërë punë të pandershme apo që të jem marrë me drogë, trafiqe apo gjëra të tjera të tilla. Prandaj, ju siguroj se nuk kam qenë as unë, as bashkëshortja ime objektiv të kësaj ngjarje. Policia duhet ta gjejë se kush janë autorët dhe kë donin të vrisnin. Unë këto gjëra thashë edhe gjatë dëshmisë që dhashë në polici, u shpjegova se nuk kisha lidhje me ngjarjen as unë, as gruaja ime. Tani shpresojmë që policia të zbardhë të vërtetën, sepse nuk jemi më të sigurt as në lagjen tonë, kemi frikë të dalim të pimë kafen poshtë shtëpisë, se mund tëtë kapin plumbat në mes të ditës, ndërkohë që je në punën tënde. Është bërë jeta fare e pasigurt.

(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: