NGA AURORA KOROMANI

TIRANE- Një gërvishtje makine është bërë shkaku i një atentati me armë në kryeqytet. Ngjarja e rëndë është shënuar pasditen e djeshme në afërsi të zonës së “Xhamllikut”, ku ka mbetur i plagosur një 26-vjeçar nga Miloti. Forcat policore, pas mbërritjes në vendin e ngjarjes shpjeguan se i plagosuri udhëtonte me makinë tip “Golf 6”, ndërsa autori me një motor tip “Hyundai”. Ky i fundit ka qëlluar me armë në drejtim të të riut Xhevahir Shabani, duke e plagosur atë në gjoks. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, ndërsa i riu nga Miloti u transportua në Spitalin e Traumës në kryeqytet, ku mësohet se është rëndë, por jashtë rrezikut për jetën.

Ngjarja
Rreth orës 14:45 të ditës së djeshme, policia u njoftua se në rrugën “Hoxha Tahsin”, pranë kryqëzimit të njohur pranë “Kubit” në kryeqytet, ishte plagosur me armë zjarri 26-vjeçari Xhevahir Shabani, nga Miloti. Pas kësaj, policia arriti të zbulojë se i riu ishte qëlluar dy herë në gjoks me një pistoletë nga një person, i cili është ende në kërkim policor, që udhëtonte me një motor “Hyundai”. Nga të dhënat e uniformave blu, mësohet se autori dhe i plagosuri e kishin nisur zënkën mes tyre në kryqëzim, ku nga dëshmitë u bë e ditur se motori është fërkuar me një automjet tip “Golf 6” dhe aty kanë nisur debatet mes dy drejtuesve të mjeteve. Nga uniformat blu sqarohet se 26-vjeçari dhe drejtuesi i mjetit kanë debatuar ashpër në kryqëzim, pasi i riu i kërkonte llogari se përse ia gërvishti makinën. Por, pas disa fjalëve që kanë shkëmbyer me njëri-tjetrin, secili prej drejtuesve është nisur në rrugën e tij, për t’u ndeshur vetëm pak metra më lart.

Nga të dhënat e policisë, sqarohet se i plagosuri pasi është ndarë nga drejtuesi i makinës, ka ndaluar afro 300 metra larg kryqëzimit dhe ka zbritur për të parë gërvishtjen e makinës. Pasi ka parë se “Golfi” kishte marrë një gërvishtje, ai ka sharë drejtuesin e motorit, i cili ka qenë vetëm pak hapa më larg të riut nga Miloti dhe e ka dëgjuar gjithçka. Një fyerje mësohet të ketë qenë shkaku që ka nxehur shumë drejtuesin e motorit, i cili, pasi ka zbritur nga mjeti, i është afruar “Golfit” dhe ka qëlluar dy herë drejtuesin e tij, Shabanin. Pas kësaj, autori është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa policia ka sekuestruar të gjitha pamjet filmike të bizneseve pranë vendit të ngjarjes, për të mësuar më shumë detaje rreth ngjarjes. Nga dëshmitë që forcat e policisë së Komisariatit numër 4 dhe të sektorit të vrasjeve të Policisë së Tiranës kanë mbledhur në vendin e ngjarjes, është arritur të krijohet edhe një identikit i autorit të krimit. Deri tani, policia është duke kërkuar një person të imët në fytyrë, me trup të pakët, të veshur me të zeza dhe jo shumë të gjatë.

Dëshmitë
“Ndihmë, më ndihmoni. Më çoni në spital, jam i plagosur”. Këto kanë qenë britmat e të riut nga Miloti, i cili, pasi ka marrë dy plumba në trup, ka kërkuar ndihmë për ta dërguar në spital. “Dëgjova vetëm dy krismat në fillim, pasi deri në atë moment nuk kisha parë asgjë. Pasi dëgjova të shtënat, dola te dera dhe pashë një makinë të ndaluar në rrugë, ndërsa dëgjoja një person që bërtiste me të madhe dhe kërkonte ndihmë. ‘Po vdes, më çoni në spital… Më ndihmoni’, dëgjoja të bërtiturat që vinin nga makina. U afruam dhe pamë që ishte një djalë i ri, e hipëm në një makinë të rastit dhe iku në spital”, rrëfen për “GSH”, një nga dëshmitarët okularë në vendin e ngjarjes. Ndërsa, një tjetër person tregon se para se të ndodhte ngjarja, autori dhe i plagosuri kishin debatuar me njëri-tjetrin, duke përforcuar edhe njëherë se gjithçka ka nisur pas fërkimit të dy mjeteve në kryqëzimin e rrugës pranë vendit ku ka ndodhur ngjarja.

(b.e/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: