Një 15-vjeçar shqiptar i komunitetit rom, është plagosur rëndë me armë në Aspropyrgo të Greqisë. Ai ishte lënë në rrugë dhe fatmirësisht është pikasur nga drejtuesi i një automjeti, i cili më pas e ka transportuar në spital.
Dyshohet se autori e ka goditur 15-vjeçarin brenda banesës në Nea Zoi të Aspropyrgos e më pas e ka tërhequr duke e hedhur në rrugë. Gjendja e tij paraqitet mjaft e rëndë për shkak të plagës me armë zjarri. Ai ndodhet i shtruar në spitalin e Thriasios.
Policia greke po has kohët e fundit një problematikë të theksuar pas forcimit të grupeve nga Shqipëria në veprimtaritë e paligjshme, kryesisht ato të drogës. Gjatë konflikteve muajt e fundit ka mbetur i vdekur një 5-vjecar si dhe janë plagosur më pas dy femra. Për një nga ngjarjet janë shpallur në kërkim disa shqiptarë me origjinë nga Fieri.