GRAMSH
Policia ka zbardhur ngjarjen në Gramsh, ku kryeplaku i fshatit Gribë u qëllua me armë zjarri gjatë orëve të vona të së premtes. Autori që plagosi në këmbë kryeplakun është identifikuar, ndërsa vijon puna intensive për kapjen dhe vënien e tij para drejtësisë.
Burime spitalore bëjnë me dije për “Balkanweb” se kryeplaku i fshati fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën. Sipas Policisë, ngjarja në fshatin Gribë ka ndodhur për motive të dobëta.
“Zbardhet ngjarja e ndodhur në fshatin Gribë të Gramshit, ku një shtetas u plagos me armë zjarri në këmbë, jashtë rrezikut për jetën. Identifikohet dhe shpallet në kërkim autori. Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale të kryera nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Gramsh, në bashkëpunim me Specialistët e Hetimit të Krimit ndaj Personit, në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, u bë e mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar S.V, ku vijon puna për kapjen e tij.
Ky shtetas mbrëmjen e djeshme në fshatin Gribë, Gramsh , për motive të dobëta dyshohet se ka plagosur me armë zjarri shtetasin T.V., 54 vjeç dhe është larguar, ku forcat e Policisë po punojnë për kapjen e tij si dhe për gjetjen e sekuestrimin e armës së zjarrit.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, dhe po punohet për kapjen e shtetasit S.V., për veprat penale ” Vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve , armëve shpërthyese dhe municionit”, njofton policia.