SHKODËR

Ka rënë në prangat e policisë  pas dy vitesh autori i plagosjes së Nelson Hysës i cili ndodhet në burg si pjesë e grupit “Bajri”, 23 vjeçari Valter Ksolla. Sipas policisë së bashku me të janë arrestuar edhe 2 vëllezërit e tij.

Atentati ndodhi në 6 maj të vitit 2017, ku  i riu në atë kohë i bëri pritë, boksierit të Vllaznisë, Nelson Hysës, i cili ra në prangat e policisë më 9 mars të këtij viti si pjesë e grupit të organizuar kriminal “Bajri”.

Në flagrancë u arrestuan edhe dy vëllezërit e tij, Ndue e Kolë Ksolla, 32 dhe 25 vjeç, të cilët sipas policisë përkrahen 23-vjeçarin duke e strehuar. Ndaj tyre rëndojnë edhe akuza si “prodhim dhe mbajtje të armëve luftarake”.

“Finalizohet me sukses Operacioni policor i koduar “Gruda” Kapet dhe ndalohet autori i dyshuar i ngjarjes së ndodhur me datë 06.05.2017, ku ka mbetur i plagosur shtetasi N. H. Nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër pas një pune të mirëorganizuar, u finalizua operacioni policor “Gruda” ku u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit në kërkim: V.K, 23 vjeç, banues në Lagjen “Mark Lula”, Shkodër, Ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale të “Vrasjes me paramendim, e kryer në bashkëpunim” mbetur në tentative, dhe “Prodhimi e mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, parashikuar nga nenet 78, 22, 25 e 278 të Kodit Penal, pasi është autor i dyshuar për ngjarjen e ndodhur me datë 06.05.2017.

Gjithashtu si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit N. K., 32 vjeç dhe K. K., 25 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re, (vëllezër) për veprat penale të “Përkrahja e autorit të krimit”, “Prodhimi e mbajtja pa leje e armeve dhe municioneve luftarake” dhe “Kanosja”, parashikuar nga nenet 302, 84 e 278 të Kodit Penal, pasi këta dy shtetas kishin strehuar në banesën e tyre shtetasin në kërkim V. K, dhe dyshohet se me datë 14.04.2019 kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së shtetasit L. A., 50 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re, Shkodër. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprime të metejshme.”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb