NGA AURORA KOROMANI*

Prokuroria për Krime të Rënda jep pretencën për 34-vjeçarin, i cili në 2013 tentoi të vriste për gjakmarrje Gafurr Kadriun. Konkretisht, Redon Uka dy vite më parë në vendin e quajtur Kryqëzimi i Bolonjës në Dibër ka qëlluar tri herë me pistoletë ndaj Kadriut në shenjë hakmarrjeje, pasi mes tyre ka pasur një konflikt të vjetër. Për këtë arsye, organi i akuzës ka kërkuar 35 vite burg për Redon Ukën, ndaj të cilit rëndon akuza e “vrasjes për gjakmarrje e mbetur në tentativë” dhe ajo e “armëmbajtjes pa leje”.
KONFLIKTI
Në dosjen e organit të akuzës rezulton se në 20 dhjetor të vitit 2013, në qytetin e Peshkopisë është tentuar të vritet me armë zjarri Gafurr Kadriu. Ky i fundit ka qenë nën shoqërinë e shokut të tij, A.Sh. duke pirë kafe në momentin që ka dalë Redon Uka dhe nga mbrapa, në largësinë një metër e ka thirrur: “A ti je Gafurr Kadriu?”. Pas kësaj, i dëmtuari është kthyer nga ana që i vinte zëri dhe ka parë se ishte Redoni (Sulejman, emri i tij i dytë), i cili e ka qëlluar tri herë me pistoletë. Pas ngjarjes, autori është larguar nga vendi i ngjarjes me bindjen se Gafurr Kadriu ishte vrarë. Për këtë ngjarje ka pasur edhe shumë dëshmitarë, të cilët kanë dëshmuar se ditën e ngjarjes e kanë parë 34-vjeçarin pranë lokalit ku ka ndodhur plagosja. Por, kronologjinë se si kanë rrjedhur ngjarjet e ka shpjeguar edhe vetë i plagosuri gjatë marrjes në pyetje. Ai ka thënë se gjithçka ka nisur pas një konflikti që djali i tij, Aleksandri, ka pasur me autorin e plagosjes. “Gjakmarrja lidhet me një konflikt mes djalit të të dëmtuarit, Aleksandër Kadriu dhe të pandehurit Redon Uka në datën 24 gusht 2011, ku si rezultat i një konflikti mes tyre, Aleksandri ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në drejtim të Redonit dhe vëllait të tij, duke i lënë ata të plagosur në gjymtyrët e poshtme të trupit. Pas kësaj ngjarjeje, Uka ka ecur për një periudhë me paterica. Nga ana e familjes Kadriu janë bërë shumë përpjekje për pajtim mes dy familjeve, por Redon (Sulejman) Uka nuk ka pranuar. Kështu, dëshmitari G.P. ka dëshmuar se ka shkuar në shtëpinë e Redon Ukës pas ngjarjes, me kërkesë të të dëmtuarit Gafurr Kadriu, me qëllim pajtimin e dy familjeve dhe aty ka gjetur pleq “rixhaxhi” për pajtim. G.P. i ka thënë të pandehurit Redon Uka që ta mbyllte konfliktin me familjen e Gafurrit, por ai i është përgjigjur “punët e mia i di vetë”. Pas kësaj ngjarjeje, Gafurr Kadriu ka marrë masat dhe ka larguar të dy fëmijët nga qyteti i Peshkopisë, nga frika e ndonjë gjakmarrjeje të mundshme”, thuhet në dosjen e Prokurorisë për Krime të Rënda.
DËSHMIA
Gjatë marrjes në pyetje, Kadriu ka shpjeguar se në dhjetor të vitit 2013 është qëlluar nga Redon Uka 3 herë në bark. Gjatë dëshmisë së tij, i plagosuri ka rrëfyer edhe njohjen e tij me Redon Ukën, duke shpjeguar se ata njiheshin pas konfliktit të djalit të tij, Aleksandrit dhe dy vëllezërve Uka. “Në një rast ka qenë duke lëvizur me automjetin e M.M., ata janë shkëmbyer me makinën e Redon Ukës dhe djali i tij i ka treguar se kush ishte Redon Uka, me të cilin është ndeshur edhe herë të tjera”, citohet në dosjen e organit të akuzës.
PËRGJIMET
Gjatë hetimeve për këtë rast janë vënë në përgjim edhe disa numra telefoni, mes të cilëve edhe numrat e A. Uka dhe B.Uka, të cilët janë prindërit e Redon Ukës. Dy prindërit e tij, gjatë një komunikimi me vajzën e tyre e informojnë atë për plagosjen, duke i thënë se Sula (Redoni) e kishte mbaruar atë punë dhe të mos trembej nëse në shtëpinë e saj shkonin ata të policisë.

 

Ja çfarë thuhet konkretisht mes motrës së Redonit, Savës dhe prindërve të tij gjatë një bisedë telefonike: 

– (numri i motrës së Redonit)… 583: – Alo o Anis, a je mejr, a je lodh? (duket zë fëmije).
– (babai)….600: Alo (flet një burrë), he me ti iu drejtove Anisës, ku o mami?
– (numri i motrës) 583: Te shpaja.

– (babai) 600: Jepja mamit telefonin.
– (numri i motrës) 583: Po, si është Denisa? (vazhdon fëmija)
– (babai) 600: po mejr, mejr, krejt mejr.
– (babai) 600: Jepja moj mamit telefonin.
– (numri i motrës) 583: po, o maaa, foli gjyshit
– (motra) 583: Hë ba (e merr telefonin dhe flet nëna e fëmijës me emrin Sava).
– (babai) 600: oj Savë, si je?
-(motra) 583: Mirë, si je ti ba, a je mirë, a je lodh?
– (babai) 600: helbet me ardhë ndonjëri prej atyre, helbet ndonjëri prej atyre, mos u tremb.
-(motra) 583 mejr, mejr.
-(babai) 600: A mejr?
-(motra) 583 Mejr, mejr, rri pa merak.
-(babai) 600: Shiko në televizor të Bashkimit, shiko në lajme, se s´mund me deftu prej ktu, a ndgjove, a e ka marrë vesh qysh asht?
-(motra) 583: Jo, s’kam marrë vesh gjë.

-(babai) 600: Epo mirë.
-(babai) 600: Oj Sava, na foli mamit tand,
(flet e ëma).
-(motra) 583 oj fije, oj mami si je?
-(nëna) 600: Oj Sava.
-(motra) 583: Si je, a je lodh?
-(nëna) 600 nga pak po ti, a je mirë, cullët si janë? Mos u mërzit hiç.
-(motra) 583: Qysh asht ba?
-(nëna) 600: A e din Sula…?
-(motra) 583: hë?
-(nëna) 600: Shnet mam e pun e madhe.
-(motra) 583: A ka bo gjo?
-(nëna) 600: Po, po, e ka mbaru atë punë.
-(motra) 583: E shyqyr i lumt dora.
Po gjatë një bisede tjetër që nëna e Redon Ukës bën me një femër, i thotë asaj se kishte qëlluar djali i saj dhe më konkretisht:
483(vajza): Po qysh u ba?
(nëna) 600: Ajo që ka qenë për t’u ba.
(vajza) 583:A Sula shteu?
(nëna) 600: Po.
(vajza) 583:A s’i kanë kap?
(nëna) 600: Jo, jo, jo….

 

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb