ELBASAN- Tre efektivë të Policisë së Elbasanit kanë mbetur të plagosur sot pasi kanë tentuar të arrestojnë një person për grabitje. Shtetasi Irfan Halimllari, rreth 50 vjeç rreth orës 10:00 të ditës së sotme, në lagjen ‘5 Maji’, në një dyqan ushqimor ka grabitur lekët e xhiros rreth 20 mijë lekë të reja të dyqanit dhe është larguar.

Pas marrjes se njoftimit policia është drejtuar në banesën e tij për ta arrestuar por ka hasur në rezistencë. 50-vjeçari ka qëlluar me gërshërë tre efektivë policie.

Ndërkaq nëna e tij në një prononcim për “BalkanWeb” thotë se ishin policët ata që e dhunuan të parët, por nga ana tjetër kërkon mëshirë pasi sipas saj, djali është me probleme mendore. Ajo thotë se nuk ka pasur armë të ftohtë por gërshërët me të cilat punonte shportat.

“Unë isha në punë, erdha me vonesë. Më duket se goditën ata. E shtrinë, e lidhën dhe gjaku shkonte lumë. Ka pasur mjetet që punonte shportat, kanistrat. Ata 4 veta e shtrinë aty. Ka një javë që ka kaluar nga mëndët. Ka një javë pa drita. Mos ma torturojnë, është një njeri me të meta mendore, është budalla. Edhe ata e njohën që ishte me probleme. Dua mëshirë prej tyre. Gjynah që e goditën, 4 veta”, tha nëna e autorit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb