Sapo ka mbërritur në Gjykatën e Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Fier, adoleshenti me iniciale B. D , i cili mëngjesin e së premtes në ambientet e brendshme të shkollës, goditi 4 herë me mjet prerës shokun e klasës në gjimnazin “ Mustafa Hoxha” në Cakran pas një konflikti të çastit.
Ilmi Saliaj raporton për BalkanWeb se autori ra në prangat e policisë menjëherë pas ngjarjes, ndërsa dy ditë më parë është arrestuar nga blutë e Fierit , dhe mbi të rëndon akuza “ Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”.
Autori i dyshuar i ngjarjes do të dalë sot para trupit gjykues të përbërë nga gjyqtarja e gatshme për të mitur Klodiana Kryeziu, dhe Prokurore Oliana Gjergjefi e cila ishte e pranishme në shkollë edhe ditën e ngjarjes dhe në deklaratën për media ka pohuar se ngjarja është shumë e rëndë, por ka garantuar hetim të plotë dhe të gjithanshëm.
Ndërkohë 17- vjeçari vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe nuk dihet nëse ky detaj do të merret në konsideratë nga togat e zeza. Sipas dëshmisë së të plagosurit konflikti ka nisur një muaj më parë pas postimit të disa fotove në rrjetet sociale, ndërsa autori pritet që në dëshminë e sotme të hedhë më shumë dritë mbi këtë ngjarje të rëndë, që tronditi mbarë opinionin publik.
I mituri nuk ka folur asnjë fjalë gjatë seancës. Ai ka thënë se nuk është në gjendje që të flasë. “Nuk jam në gjendje që të flas, jam në ankth”, ka deklaruar i pandehuri. Pas seancës gjyqësore, adoleshenti u vendos në masën e sigurisë “arrest me burg”.
Për ngjarjen ka reaguar edhe Prokuroria e Fierit. Organi i akuzës thotë se ka kërkuar “arrest me burg” për autorin.
Konflikti mes të miturve në Shkollën ‘Mustafa Hoxha’, Prokuroria Fier kërkon ‘Arrest në burg’ për të miturin e dyshuar për ‘Vrasje me dashje’ e mbetur në tentativë
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier, paraqiti kërkesën për masë sigurimi për të miturin B.D që goditi me mjet prerës bashkëmoshatarin e tij.
Kjo prokurorin regjistroi procedimin penal nr.1933/2024 në ngarkim të të miturit në konflikt me ligjin B. D., si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë, parashikuar nga nenet 76 dhe 22 të Kodit Penal.
Procedimi lidhet me ngjarjen e ndodhur në orën 07.50 në gjimnazin “Mustafa Hoxha” në fshatin Cakran të Bashkisë Fier, në korridorin e katit të tretë dhe më pas në njërën nga klasat. Nxënësit B.D. dhe H.Xh., janë konfliktuar fizikisht dhe nxënësi B.D. ka nxjerrë nga xhepi një mjet prerës duke i shkaktuar të miturit tjetër katër dëmtime në shpatullën e majtë dhe një në pjesën e poshtme të këmbës. Konflikti është ndërprerë si pasojë e ndërhyrjes të mësueses kujdestare.
Menjëherë pasi është marrë dijeni për ngjarjen, është ngritur grupi hetimor nën drejtimin e prokurores së gatshme. Janë kryer veprimet e para hetimore si këqyrja e vendit të ngjarjes, sekuestrimi i celularëve dhe provave të tjera materiale, pyetja e Zv/ Drejtoreshës, e disa mësuesve dhe oficerit të sigurisë së shkollës, intervistimi i të miturve duke garantuar zbatimin e dispozitave të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur, etj.
Nga materiali hetimor i administruar, rezulton se motivi i dyshuar i konfliktit është publikimi i disa fotove në rrjetin social Snapchat, pa pëlqimin e të miturit të dëmtuar.
Nga ana e prokurorisë është paraqitur kërkesa në Gjykatë për vleftësimin e ligjshëm të arrestimit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, si dhe po kryhen veprime të mëtejshme hetimore. Kërkesë e cila është miratuar nga Gjykata.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë për hetimin e shpejtë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë krime kundër të miturve, me qëllim mbrojtjen e interesit më të lartë të të miturve dhe parandalimin e këtyre ngjarjeve në të ardhmën.
(Balkanweb)