SHKODËR
Arrestohet pas tre muajsh në kërkim një prej personave të përfshirë në një konflikt me armë në Postribë, ku mbeti i plagosur një 43-vjeçar.
Në vijim të kontrolleve bazuar dhe në inteligjencën policore, për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, kapën në fshatin Grud e Re dhe ndaluan shtetasin F. L., 25 vjeç, banues në fshatin Pult.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Më datë 13.08.2024, në fshatin Postribë, ku gjatë një konflikti për motive të dobëta, ndërmjet disa shtetasve, ka mbetur i plagosur me armë zjarri një 43-vjeçar.
Vijojnë kërkimet për kapjen dhe të 2 shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim, për këtë rast.
Në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, vijojnë hetimet për të individualizuar përgjegjësinë penale të secilit prej shtetasve të implikuar në këtë rast.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.