SARANDË- Truproja e një diskoje ka mbetur i plagosur dje në orët e para të mëngjesit në Sarandë, ndërsa tashmë policia ka identifikuar autorin dhe e ka shpallur në kërkim. Policia gjithashtu ka arrestuar kolegun e truprojës së plagosur për moskallëzim krimi.

Zyrtarisht bëhet e ditur se policia e Sarandës, pas hetimeve intensive ka bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve në lidhje me plagosjen e 37-vjeçarit me iniciale A.L., me banim në Vlorë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 02:32, në lagjen nr.1 Sarandë, në ambientet e jashtme të një lokal-disko, ku 37-vjeçari që punonte si “Bodyguard”, truprojë është qëlluar me armë zjarri nga një shtetas tjetër, i cili duke përfituar nga errësira është larguar menjëherë me një automjet nga vendi i ngjarjes.

Policia thotë se falë veprimeve hetimore intensive ka identifikuar autorët, duke arrestuar një prej tyre si dhe shpallur në kërkim tjetrin.

Në pranga ka përfunduar Joan Buli, 36 vjeç, lindur në Tiranë, me banim të përkohshëm në Sarandë, punonjës në objektin në fjalë (bodyguard), arrestuar për “Moskallëzim krimi”.

Ndërkaq është shpallur në kërkim shtetasi me iniciale D.M., 31 vjeç, banues në Sarandë – si autori kryesor i plagosjes.

Dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta.
Si pasojë e ngjarjes, i dëmtuari A.L ndodhet i shtruar në Spitalin e Traumës Tiranë për mjekim më të specializuar, jashtë rrezikut për jetën.

Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë për veprat penale “Moskallëzimi i krimit”, “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb