Kanë qenë katër persona të akuzuar, mes tyre dhe një shqiptar. Të katërt janë shpallur përgjegjës për tentativë vrasje, por me dënime të ndryshme, nga 5 deri në 9 vjet burg, sepse vetëm një prej tyre kishte një thikë me vete dhe nuk ka prova që të tjerët e dinin se ai ishte i armatosur.


Është mbyllur kështu gjykimi i parë para gjykatësit të Milanos Guido Salvini, procesi me gjykim të shkurtuar për sulmin ndaj Niccolo Bettarini, djali 20-vjeçar i ish-futbollistit Stefano Bettarini dhe prezantueses televizive Simona Ventura, i cili u qëllua me thikë, shqelma dhe grushte 1 korrikun e kaluar jashtë diskotekës “Old Fashion” në Milano, ku ai kishte kaluar natën me një grup shokësh.


“Ka përfunduar një makth. Drejtësia është bërë”, tha i riu i cili u shtrua në spital për disa ditë dhe gjithashtu iu nënshtrua një operacioni për rindërtimin e një nervi. “Nuk më interesojnë paratë, por vetëm që të bëhet drejtësi”, shtoi djali, duke konfirmuar synimin tashmë të shprehur për të hequr dorë nga dëmshpërblimi, prej 200 mijë eurosh.


Bettarini
Bettarini

“Dënime të drejta. Kjo është ajo për të cilën luftuam deri në fund”, shpjegoi avokatja e të riut.
Ai që është dënuar më shumë, me 9 vjet është 29-vjeçari Davide Caddeo, i cili akuzohet se e ka qëlluar 8 herë me thikë djalin e prezantueses italiane.
Dënime të ndryshme për tre të pandehurit e tjerë: 5 vjet dhe 6 muaj për Alessandro Ferzoco, 6 vjet dhe 6 muaj për Albano Jakej dhe 5 vjet për shqiptarin Andi Arapi, i vetmi që nuk kishte precedentë penalë dhe që dje ka lënë qelitë për të vuajtur dënimin me arrest shtëpie.

Për tre prej tyre u dha dhe ulja e dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Siç u tha në vendim, të tre donin ta rrihnin Bettarinin dhe jo ta vrisnin dhe mungon prova që ishin në dijeni se Caddeo, i cili është dënuar me 9 vjet, kishte me vete një thikë.

Sipas asaj që u dëshmua në gjyq, Ferzoco dhe shoqja e tij kishin pasur në ditët e mëparshme një grindje në një lokal tjetër me një mik të Bettarinit.
Përplasje që është ringjallur atë natë të parë të korrikut në “Old Fashion”. Dhe Caddeo iu bashkua miqve të Ferzocos atë mbrëmje, por askush nuk e njihte mirë. Gjykatësi gjithashtu ka urdhëruar transmetimin në Prokurori të dëshmive në gjyqin e Niccolo edhe të dy miqve e tij, duke përfshirë një vajzë që hyri në sherr për ta shpëtuar atë dhe një tjetër djalë i ri.

Prokurori Elio Ramondini, i cili kishte kërkuar 10 vjet burg për të gjithë, ka hapur tashmë një hetim ndaj djemve të tjerë që u hodhën ndaj Bettarinit, të paktën një duzinë. Dhe tani me dëshmitë e reja do të duhet të vlerësojë zhvillimet e mundshme të hetimit. Caddeo, për shembull, ka pranuar se e ka goditur vetëm dy herë dhe jo tetë dhe hipoteza e një sulmi të dytë nuk ka qenë kurrë shumë e çuditshme.

(m.k/BalkanWeb)