Nga: AURORA KOROMANI*

TIRANE- Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë ka kërkuar 42 vite burg për dy të pandehurit Pjetër dhe Renato Zefi. Ky i fundit është plagosur nga kushëriri i tij, Pjetër Zefi, mes të cilëve ka lindur një konflikt që në vitin 2013, por edhe vetë autori është qëlluar nga Renato Zefi.

Për këtë arsye, organi i akuzës, gjatë leximit të konkluzioneve përfundimtare ka kërkuar 35 vite për autorin Pjetër Zefi, i cili akuzohet për veprat penale të “Vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë, “Vrasjes me dashje”, mbetur në tentativë, dhe “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake”. Ndërkohë, edhe për kushëririn e tij Renaton janë kërkuar 7 vite burg, për akuzën e “Mbajtjes së armëve luftarake pa leje”. Prokuroria bën me dije, se ngjarja për të cilën akuzohen këta dy persona ka ndodhur më datë 3 gusht të vitit 2013, rreth orës 19:30 të pasdites, ku janë plagosur me armë zjarri, Gjon Zefi dhe djali i tij Renato Zefi nga ana e Pjetër Zefit, në fshatin Rrushkull, Durrës. E gjitha kjo ngjarje atë kohë, sipas prokurorisë, ka ndodhur për shkak të një konflikti të hershëm midis dy familjeve.

DOSJA
Sipas prokurorisë, midis të pandehurit Pjetër dhe djemve të të dëmtuarit Gjon Zefi është provuar të ketë pasur një konflikt të mëparshëm, që prej gati 3 vitesh para se të ndodhte ngjarja. Ky konflikt ka filluar për një telefon celular që i kishte humbur Gjon Zefit, i cili kishte shprehur dyshimet se ia kishte marrë djali i xhaxhait të tij, Pjetri. Dy kushërinjtë mësohet se kanë pronësi nga një restorant në breg të detit dhe Pjetri ka blerë me paratë e tij një transformator energjie elektrike, nga i cili furnizohej me energji edhe restoranti i të dëmtuarit Gjon. Ky transformator ishte prishur dhe Pjetri e kishte riparuar e më pas i ka kërkuar Gjonit të paguante një pjesë të shpenzimeve. Ai nuk ka pranuar dhe Pjetri e ka shkëputur lidhjen e energjisë për restorantin e Gjonit. Pas kësaj, transformatorin e kishin dëmtuar me lëndë plasëse dhe Pjetri për këtë akuzonte të pandehurin Renato. “Ndaj, ditën e ngjarjes, i pandehuri Pjetër, sapo ka parë të pandehurin Renato të dilte nga rrugica e lagjes me makinën e tij, ka marrë një armë zjarri automatike, të cilën e mbante pa leje, ka dalë në rrugën kryesore në krah të makinës dhe i ka bërtitur të zbriste nga makina. Sapo ai ka zbritur, ka shtirë në drejtim të tij me breshëri, duke i shkaktuar atij plagë, që, sipas aktit të ekspertimit mjekoligjor hyjnë në kategorinë e plagosjeve të rënda. Në këtë moment i dëmtuari Gjon ka tentuar të afrohet të ndihmojë të birin, por është gjendur nën zjarrin e armës së të pandehurit Pjetër. Po ashtu, në momentin kur ka ndodhur ngjarja ka mbetur i plagosur edhe Pjetër Zefi, i cili dyshohet të jetë plagosur nga i pandehuri tjetër, Renato Zefi. Nga analiza e provave të shqyrtuara gjatë gjykimit për këtë fakt penal, provohet plotësisht, se të pandehurit Pjetër Zefi dhe Renato Zefi i kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen”, thuhet në dosjen e prokurorisë. Dëshmitë “Pjetër Zefi më ka qëlluar me armë zjarri automatik në drejtim të qafës, krahëve dhe dy këmbëve. Po të donte, ai më kishte vrarë, pasi më kishte shumë afër, por ai donte të më linte sakat. Më ka ndihmuar edhe fati, pasi një plumb më ka kaluar në qafë… Pjetër Zefi, babain tim, me sa më kujtohet, e ka qëlluar në një distancë rreth 15 metra dhe e ka qëlluar me breshëri…” Më tej, i pandehuri ka shpjeguar për veprimet e të pandehurit Pjetër: “Qëlloi gomën e makinës të përparme në krahun e shoferit, më shau dhe më tha ‘zbrit nga makina’. Në kohën që zbrita nga makina, nuk mbaj mend më se çfarë ndodhi, pasi m’u errësua vendi dhe nuk e di ç’u bë më vonë për momentin, por kur u largua, u përmenda dhe e pashë që po qëllonte në drejtim të babait tim, Gjonit, që po afrohej në drejtimin tim për të më dhënë mua ndihmë”, citohet në dosje dëshmia e Renato Zefit.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: