Nga AURORA KOROMANI*

Shpallet në kërkim shoku i Emiljano Shullazit. Gilmando Dani, i cili mbrëmjen e 5 janarit të këtij viti i shpëtoi një atentati teksa ishte pasagjer në automjetin që drejtohej nga miku i tij, është shpallur në kërkim policor pasi dyshohet si i përfshirë në një tjetër ngjarje kriminale në kry-eqytet. Më konkretisht, Policia e Tiranës ka dyshime se Dani mesditën e së shtunës ka plagosur me armë zjarri 24-vjeçarin, Valment Pelivani nga Memaliaj. Policia e kryeqytetit ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, ndërkohë që vijojnë kërkimet për kapjen e shokut të të fortit të Tiranës.

Ngjarja
Rreth orës 12:45 minuta të së shtunës, 37-vjeçari nga Tirana dyshohet se është përfshirë në një konflikt me armë te Rruga e Kavajës. Burime policore sqarojnë se në këtë konflikt janë përfshirë edhe shokët e tjerë të Danit, si edhe kushëriri i tij, Orges Dani, i cili tashmë është vënë në prangat e policisë. Sipas të njëjtave burime, dyshohet se shoku i Emiljano Shullazit është konfliktuar me 24-vjeçarin Valment Pelivani në ambientet e një qendre tregtare. Sipas uniformave blu, konflikti mes Danit dhe të riut nga Memaliaj ka nisur pas një sherri çasti për motive banale. Nga hetimet paraprake mendohet se Dani dhe i plagosuri kanë pasur njohje shoqërore me njëri-tjetrin dhe konflikti mes tyre është një çështje e pazgjidhur nga e kaluara e tyre, por arsyeja e saktë e sherrit mes tyre nuk dihet, pasi edhe vetë 24-vjeçari nuk ka dhënë shumë shpjegime në polici. Mësohet se gjatë deklaratës paraprake Pelivani është shprehur se nuk e kishte fiksuar mirë autorin. Dyshohet se 37-vjeçari nga Tirana, në shoqërinë e personave të tjerë fillimisht është zënë me fjalë me Pelivanin dhe më pas ai ka tentuar të largohet, por është kthyer sërish dhe e ka qëlluar 24-vjeçarin me armë në këmbë, duke e plagosur atë. Mësohet se, pas kësaj, i riu është dërguar në Spitalin e Traumës, ku është duke u mjekuar dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi
Në një njoftim zyrtar të policisë thuhet se 37-vjeçari është shpallur në kërkim që ditën e shtunë, pasi dyshohet se pas një konflikti të çastit ka plagosur me pistoletë të riun nga Memaliaj. Policia sqaron se në këtë konflikt janë përfshirë edhe shokët e tjerë të Danit, si edhe kushëriri i tij, Orges Dani, të gjithë të arrestuar nga uniformat blu. “Më datë 17.01.2015, u arrestuan Orges Dani, 39 vjeç, Erjon Mihali, 23 vjeç, Përparim Kalemaj, 47 vjeç dhe po punohet për kapjen e Gilmando Danit, 37 vjeç, banues në Tiranë. Orges Dani, rezulton i dënuar më parë për ‘Prodhim dhe armëmbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake’, Gilmando Dani për ‘Vrasje me dashje’, pasi dyshohet se rreth orës 12:45, në qendrën tregtare ‘K…’, kanë tentuar të vrasin me armë zjarri shtetasin V.P., 24 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për “Vjedhje”, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Përparim Kalemaj nuk ka kallëzuar krimin”, – citohet në njoftimin e policisë. Ndërkohë, më 5 janar, Gilmando Danit dhe Emiljano Shullazit iu bënë një atentat në Qafë-Kashar, ku në drejtim të automjetit me të cilin ata udhëtonin u qëllua me breshëri plumbash. Në njoftimin e policisë u tha se në këtë ngjarje ngeli i plagosur Dani, por si pasojë e daljes së mjetit jashtë rruge.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb