FIER

Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në Fier në një bashkëbisedim me pensionistët në kuadër të fushatës së nisur për deklarimin e plotë të pagave. Rama tha se ka ardhur koha për të parë më larg për çështjen e pensioneve sepse ekonomia është rritur dhe janë mundësitë.

Ai tha se rritja e pensioneve nuk mund të bëhet se ashtu ke dëshirë apo interes politik në një moment të caktuar, pasi nëse ndodh kështu hap një gropë të madhe më të rrezikshme se piramidat dhe falimenton shtetin.

“Ngrihet problemi i vështirësisë për të rritur pensione dhe për t’iu përgjigjur financiarisht rritjes së pensioneve në kohë. Sepse nuk është diçka që mund të jetë sot dhe do mungojë nesër. Çdo pension që rritet rritet për të qenë në kohë. Pse kjo është pjesa më e vështirë dhe çfarë e bën pensionin të ndryshëm nga pagat. Ndryshe nga pagat pensioni bazohet te sigurimet shoqërore.

Ndryshe nga pagat, fondi i pensioneve është një fond i bazuar te kapaciteti i sigurimeve shoqërore për t’iu përgjigjur nevojës për të paguar pensionet”, tha Rama.

Ai renditi arsyet pse situata e trashëguar është problematike për çështjen e pensioneve.
“Për arsye të ndryshme historike ne kemi trashëguar një situatë jashtëzakonisht të vështirë kur vjen puna te pensionet. Në radhë të parë ka pasur shumë më tepër shmangie nga sigurimet shoqërore. E dyta, në fillim të viteve 90 kur u shkatërrua çdo gjë, u bë dhe nxjerrja në pension të parakohshëm të shumë njerëzve dhe u rrit në mënyrë artificiale për shkak të atij shkatërrimi numri i pensionistëve.

Së treti, ne kemi në këtë periudhë të historisë sonë kemi një situatë të trashëguar specifike se shumë njerëz shkuan në emigracion dhe ka plot që kthehen nga emigracioni për të kaluar këtu pensionin dhe tronditen nga masa e pensionit. Ndërkohë këta njerëz kanë paguar atje sigurimet shoqërore, por jo këtu. Kjo ka qenë një tjetër trashëgimi e rëndë. Kur morëm detyrën ne kishim marrëveshje për pensionet vetëm me një vend, Turqinë. Sot që flasim kemi arritur të lidhim marrëveshje me mbi 20 shteti, ku marrëveshja më e rëndë dhe më e vështirë ishte ajo me Italinë, që bën të mundur që ata që dalin në pension të përfitojnë nga sigurimet shoqërore që kanë paguar dhe në atë vend. Pjesa e fundit dhe kjo shumë e vështirë, është lidhja e marrëveshjes me Greqinë, për të cilën jemi në diskutime me palën greke, por do kërkojë kohën e vet sepse është një vendimmarrje e rëndësishme dhe ka peshën e saj financiare”, tha Rama.

Sipas tij, “një arsye tjetër që është po kaq e rëndësishme, ne vazhdojmë të kemi një problem serioz që ka të bëjë me shmangien e detyrimeve shoqërore nga punëmarrësit dhe punëdhënësit”.

“Nuk është se i kemi lënë mënjanë pensionistët apo i kemi neglizhuar, komplet e kundërta është e vërtetë. Ne jemi PSSH dhe nëse ne nuk e kemi në qendër të vëmendjes pensionistin ne nuk e meritojmë emrin që mbajmë. Por ama që të flasësh për rritjen e pensioneve duhet të marrësh parasysh të gjithë këta faktorë. Nuk është diçka që mund ta bësh thjesht nga dëshira apo nga interesi politik i një momenti të caktuar. Nëse e bën ajo që bën është që hap një gropë në hapat e mëtejshëm, që është dhe më e rrezikshme se gropa që hapën piramidat, faktikisht falimenton shtetin komplet”, theksoi kryeministri.

Ai përsëriti se sot qeveria mbulojmë me 500 mln euro diferencën mes sigurimeve dhe pensioneve.
“Çdo pension që jepet sot, një pjesë e paguan drejtpërdrejt qeveria. Nuk diskutohet që ne jemi të gatshëm të paguajmë dhe më shumë. Problemi është te mbajtja e një balance të shëndetshme që të mos pengojë shtetin të funksionojë siç duhet dhe të mos pengojë zhvillimin nga i cili rriten të ardhurat”, tha Rama.

Sa i përket taksave, ai deklaroi se taksat nuk janë për të paguar pensionet.
“Taksat janë për fëmijët, për shkollat, çerdhet, kujdesin shëndetësor, infrastrukturën. Taksat janë për të financuar mësuesit, mjekët, punonjësit e policisë që të gjithë këta janë në shërbim të shoqërisë, ndërsa sigurimet janë për të financuar pensionet. Kush i shmanget i heq të drejtën pensionistëve për një pension më të mirë.

Ne kemi bërë një reformë në 2014 dhe e kemi rritur numrin. Por ka ende një shmangie të konsiderueshme, nga deklarimi jo i vërtetë i pagave. Mjafto ntë shikojmë çfarë ndodh me ndërtimin, apo turizmin, ku e dimë që pagat janë në nivele konkurruese me rajonin, ndërkohë që deklarimi i pagave është shumë më i ulët sepse qoftë punëdhënësit, qoftë punëmarrësit mendojnë që këto para që janë për pensionistë janë një ngarkesë”, u shpreh kryeministri.

Ai foli për një ndërhyrje të fortë dhe një plan agresiv për deklarimin e pagave reale. “Ne kemi bërë një plan agresiv për të frenuar vjedhjen e pensioneve nga sipërmarrësit, por edhe nga ata që janë punëmarrës që pranojnë të marrin në dorë paratë të cilat na bëjnë një dëm të dyfishtë.

Duhet të ndërhymë shumë fort për të ndaluar këtë vjedhje sepse duhet të rrisim të ardhurat për sigurimet shoqërore. U bë një bolori e madhe me 4.1% të indeksimit se ju e dini mirë për hir të së vërtetës pensionistët në Shqipëri janë analistët më të mirë politikë dhe ndaj nuk i hani ato broçkullat në klubet e televizorëve që ça nuk shpifin, sajojnë. Kush nuk ka gjë në dorë e bën dhe 5 milionë, ta hajë kush ta hajë shihemi herës tjetër. Ne që e kemi në dorë duhet të matemi shumë mirë. 4.1% nuk është rritje pensioni, është indeksim. Ligji e ka që çdo vit duhet ndërhyrë për të kompensuar rritjen e çmimeve. Ka një llogari që bëhet. Qeveria ka detyrimin ta paguajë. Nuk është rritje ajo që filluan të tërë. Ne kemi bërë një indeksim dy herë brenda vitit kur ishte koha e rritjes së çmimeve të luftës në Ukrainë. Ajo që duam të bëjmë është komplet tjetër gjë. Pse është ky momenti sepse është rritur ekonomia, janë rritur mundësitë. Po të mos ishin rritur mundësitë, ne nuk do diskutonim këtë gjë. Tani mund të fillojmë të mendojmë ndryshe sepse është rritur ekonomia.
Ju duhet të jeni të parët që të gëzoheni kur rriten pagat sepse nga çdo pagë e rritur marrim më shumë për të paguar pensionet”, tha Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: