Aktori i njohur, Neritan Liçaj, ka reaguar pas lajmit që qarkulloi një ditë më parë se po i bëhen letrat për ta hequr nga puna. I ftuar në emisionin “Dita jonë” në A2, aktori Liçaj i konfirmoi këto zëra, duke thënë se kjo është një hakmarrje që tregon se si po degradon kjo qeverisje.

“Është e vërtetë, jam lajmëruar që po më bëhen letrat për të më pushuar nga puna. Kjo është një hakmarrje, por nuk më tremb ky fakt, pasi tregon se si po degradon kjo qeverisje e çartur që na sulmoi politikisht në radhë të parë. Na sulmoi me polici dhe tani po na sulmon edhe personalisht.

Mendoj se do të tërhiqen pasi reagimi qytetar ka qenë shumë i fortë. Njerëzve i ka ardhur në majë të hundës nga kjo arrogancë në qeverisje. Unë kam qenë shumë korrekt në punë, është thjesht raprezalje. Nuk më ka thirrur njeri zyrtarisht, por një burim shumë i sigurt më ka thënë se po më bëhen letrat për të më hequr nga puna”, deklaroi aktori Liçaj.

Kur u pyet nëse beson se pas kësaj gjëje është kryeministri Edi Rama, aktori tha: “Besoj se pas kësaj është një urdhër i kryeministrit, pasi kam bindjen se drejtori i teatrit, pavarësisht “fërkimeve” që kam pasur me të, nuk do të më hiqte kurrë nga puna. Kryeministri po bën raprezalje për të asgjësuar artin. Që kur ka qenë ministër i Kulturës është përpjekur me çdo kusht të asgjësojë Teatrin Kombëtar”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: