Pas vendimit për të nisur zyrtarisht hetimet për Marsida Qatjan, pas vrasjes së Dritan Haxhollit dhe plagosjes së Bledar Toçi, mbrëmjen e 9 tetorit, në banesën e saj, Prokuroria ka vendosur të sekuestrojë pasaportën e 30-vjeçares.


Gazetarja Dorjana Bezat raportoi për “BalkanWeb” se Prokuroria ka pasur informacione që Marsida Qatja do të udhëtonte jashtë vendit, lidhur dhe me faktin se bashkëshorti i saj po vuan dënimin në Gjermani, ndaj dhe ka marrë masë sigurie, duke i sekuestruar pasaportën.


Prokuroria ka regjistruar çështjen në ngarkim të Qatjas për nenin 285/1 të Kodit Penal, që është “përshtatje të ambienteve për konsumim droge”, akuzë për të cilën 30-vjeçarja mund të rrezikojë pesë vite burg.


Gjithashtu, Prokuroria e Kavajës ka kërkuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për Marsida Qatjan, por Gjykata nuk është shprehur ende për vendim. Ndërkohë, Prokuroria ia ka kërkuar Qatjas të mos flasë për ngjarjen e ndodhur brenda banesës së saj, për shkak se është person që ka dijeni për atë që ka ndodhur, dhe mund të bëhet problem për sekretin hetimor.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: