Ish-deputeti i Durrësit Gazmend Oketa, njëherësh anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së ka komentuar ofertën e opozitës me 3 pika drejtuar qeverisë ‘Rama’ për menaxhimin e situatës së krijuar nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit. I ftuar në emisionin “Real Story” në ‘News24’ Oketa theksoi se nuk iu duk serioz reagimi i Ramës pas planit me 3 pika të propozuar nga Basha, pasi sipas tij kryeministri ironizoi ofertën e opozitës.

Mes të tjerash Oketa tha se propozimi me 3 pika nga PD erdhi pas një takimi me një përfaqësi ekspertësh, inxhinierë, ku u diskutua për një plan për mënyrën se si të menaxhohej situata pas tërmetit.

“Mua s’më duket fare serioze që kryeministri i vendit tim, gjeja e parë që bën ironizon ofertën e opozitës. Kryesisht ato pika që janë aty janë së pari ato pika teknike, propozime që dolën nga kolegët tanë inxhinierë nga një aktivitet para dy ditësh. Çfarë mund të bëjmë për situata të tilla. Të gjithë inxhinierët që ishin aty binin dakord që shqetësimi i qytetarëve, është fakti se ata duan të dinë; është i banueshëm pallati apo jo. Strukturistët e japin me një me përgjigje të shkurtër, te shpejtë, me një inspektim. Me këto grupe, kjo gjë përmbyllet (inspektimi). Pika e tretë është sa propozim për të nxjerrë këtë situatë për t’i dhënë një zgjidhje, pastaj cilido e komenton si do. Që të thuash; lërë rrugën Milot-Balldren dhe merri ato para dhe hidhi ato paratë në emergjencë, është me sens. Të thuash që këto paratë që abuzohet për check-up të famshëm që nuk shkosh këtu, ato lekët të çohen atje. Të stoposh Rrugën e Arbrit dhe mos ta anulosh. Te ndalosh përkohësisht Rrugën e Arbrit, është normale ne këto momente dhe ato para mund te kalojnë per te ndihmuar njerëzit. Në këtë situatë me një kryeministër që po kalon një situatë nga tërmeti, përgjigja e tij e parë është ironike. Ne ja njohim psikologjinë atij. Kemi parë këto ditë që hedh video, një me qenin dhe tjetrën me burrë që i kishte ikur gruaja në hotel. Nuk ushqehen ata qytetarë që janë në çadra me ato batuta. Një vend nuk qeveriset me batuta. Për sa kohë qytetarët e mbështesin, le të vazhdojë”, tha Oketa.

Po ashtu Oketa tha se kishte inspektuar disa zona në Durrës, qytetin e tij, gjë që sipas tij nuk e kishte bërë për t’u dukur patriot, ndërsa nuk kurseu ironitë duke shtuar se; “Ndryshe nga disa të tjerë që vijnë për të hëngër peshk, dhe bëjnë postime”

“Unë nuk fola si opozitë këtu në fjalën time. Se kuptoj kolegun Meçe. Nuk jemi këtu për të treguar se kush është këtu më patriot e as vullnetar. Skam qëllim që të debatoj. Unë kam shkuar tek ato objekte, skam shkuar as të vë shenjën time. Ndryshe nga disa të tjerë që vijnë për të hëngër peshk, dhe bëjnë postime. Unë s’kam nevojë për këto. Nuk kam shumë përgjegjësi për shumë gjëra që janë ndërtuar në Durrës. Ato që mbajnë firmën time, merrini verifikojini. Unë përcolla atë çka unë prek çdo ditë. Nëse duam të themi se nuk është administruar shkëlqyeshëm, s’bëra as ndarje as dallime. Kam drejtuar komitet ndërministror për menaxhimin e situatës nga bora, nga zjarri. Gjykoj se ka vend për t’u mirë administruar.”, pohoi ish-deputeti.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: