Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj, Drejtoresha e Tatimeve Delina Ibrahimi dhe Drejtori i Doganave Arlind Gjokuta kanë dhënë sot shifrat e planit operacional kundër informalitetit si për muajin gusht ashtu dhe në total.

Ministrja Denaj tha se ka rritje të ndjeshme të deklarimit në turizëm. “Krahasuar me periudhën 8 mujore, rritje me 18.4%. 8 mijë punonjës të rinj më shumë se gushti i vitit të kaluar”, theksoi ajo.

“Muaji Gusht u karakterizua me përshkallëzim të masave duke mbajtur fokusin tek tatimpaguesit e mëdhenj dhe duke proceduar deri në bllokim të aktivitetit të bizneseve. Ndër rezultatet e para që dua të ndaj me ju, është realizimi 100% i planit të muajit Gusht të të ardhurave nga tatimet, doganat dhe kontributet, sëbashku. Të ardhurat e muajit gusht u rritën me rreth 4.7 % ose rreth 1,6 miliard lekë më shumë krahasuar me Gushtin e vitit të kaluar.
Ndërsa për periudhën 8 mujore, të ardhurat u rritën rreth 3,8 % krahasuar me një vit më pare ose rreth 9.7 miliard lek më shumë se viti i kaluar. Kjo performancë ka bërë që Ministria e Financave dhe Ekonomisë të vijojë zbatimin me korrektesë të kalendarit të rimbursimeve të TVSH. Vetëm gjatë muajit gusht janë rimbursuar 1,68 miliard lek, ose 42% më shume se muaji Gusht i vitit të kaluar”, tha Denaj.

Ministrja theksoi se për periudhën 8 mujore janë rimbursuar 11,8 miliard lek TVSH biznesve nga 9.22 miliard lekë gjatë së njëjtës periudhë të vitit 2018, ose 2.6 miliard lek më shumë ose 28.7% rritje.

“Ndër rezultatet e tjera pozitive që janë shënuar në muajin Gusht, në sajë të masave që kemi marrë në luftën ndaj informalitetit evidentohet:
Gjatë muajit Gusht 2019, qarkullimi total i regjistruar në pajisjet fiskale pati një rritje prej 25% më shumë se viti i kaluar. Sektorët të cilët kanë regjistruar rritjen më të lartë të qarkullimit janë sektori i tregtisë, me 31% më shumë se gusht vjet, sektori i shërbimit me 16% dhe sektori i prodhimit me 14%. Njësitë akomoduese dhe bar-restorantet shënuan një rritje të qarkullimit rreth 23% më shumë si gusht i vitit të kaluar.
Pavarësisht problematikave që kemi pasur në sektorin e turizmit, kemi rritje të ndjeshme të deklarimit në furnizmin e shërbimit të akomodimit, pra në hoteleri. Gjatë muajit Gusht, qarkullimi me pajisjet fiskale në këtë sektor u rrit ne 23% në krahasim me gushtin e vitit të kaluar. Ndërsa krahasuar për periudhën 8 mujore të ketij viti, konstatohet rritje prej 12.4% më shumë se viti i kaluar”, u shpreh ajo.

Denaj nënvizoi më tej se sipas të dhënave të administratës tatimore, rezulton se në gusht janë regjistruar rreth 8 mijë punonjës të rinj më shumë se gusht i vitit të kaluar, ndërsa në QKB janë regjistruar rreth 1115 biznese të reja.

“Sic dhe jeni në dijeni nga data 19 Gusht kemi lancuar portalin “Stop Informalitetit”. Deri tashmë kanë ardhur rreth 1233 denocime në këtë portal, nga të cilat 1025 kanë qënë për administratën tatimore. 616 e këtyre denoncimeve janë verifikuar nga strukturat tona tatimore duke zbatuar në mënyrë rigoroze legjislacionin tatimor në rast të konstatimit të shkeljeve. Ndërkohë qe aplikacioni është instaluar nga 12,543 qytetarë. Inkurajojmë qytetarët por dhe punëmarrësit të denoncojnë cdo abuzim apo shkelje.
Të dhënat e Planeve Operacionale do t’ju prezantohen në detaje nga Drejtorët e Përgjithshëm. Më lejoni të evidentoj dy rezultate të përgjithshme. Së pari, gjatë kontrolleve në terren ka rezultuar se 40-47% e subjekteve që janë inspektuar janë konstatuar me shkelje. Mendojmë se tendenca e identifikimit të shkeljeve është pozitive, por jo e mjaftueshme. Gjithashtu, masat administrative dhe ato penalizuese nuk realizojnë synimin parandalues, ndaj jemi duke punuar për të finalizuar ndryshimet në paketën ligjore. Përshkallëzimi i masave kërkon të penalizojë abuzuesit dhe të jetë proporcionale me gjetjet dhe e harmonizuar mes masave të disa inspektoriateve. Inspektoriati i Punës është në një fokus të vecantë këtë muaj dhe synojmë të ristrukturojmë organizimin e punës dhe cilësinë e inspektimeve për të ulur riskun e aksidenteve në sektorë të vencantë, kryesisht ndërtimin apo miniera, por edhe të luftohet informaliteti në marrëdhëniet financiare me punonjësit”, tha Denaj.

Ministrja theksoi se së bashku me ISSH po marrim masa ndaj të gjithë subjekteve që nuk kanë zbatuar plotësisht likuidimet përkatëse.

Ndërkaq Ibrahimi theksoi se ky plan do të vijojë dhe në muajt në vijim.
“Kemi arritur të realizojmë planin në muajin gusht me 101 %. Në fokus të punës ka qenë lufta ndaj informalitetit. Ky plan veprimi do vijojë dhe muajt në vijim. 4460 kontrolle nga administrata tatimore. Shkeljet kryesore, mosregjistrim, mungesë kuponi tatimor, punonjës të padeklaruar. Ky plan nuk është një fushatë e zakonshme por vendosja në shinë e punës sonë”, u shpreh ajo.

Drejtori i Doganave, Arlind Gjokuta deklaroi se në total janë bërë mbi 1400 kontrolle, 770 vetëm në gusht.
“Edhe gjatë muajit gusht strukturat e doganave kanë qenë në mënyrë konstante në terren. Kontrollet janë kryer në mënyrë të detajuar. Në gusht 770 kontrolle, me shkelje 32 raste. Detyrimi 75 milionë lekë, ndërsa me masa mbi 80 mln lekë. 1451 kontrolle nga korriku. Fokus kryesor ka qenë sektori i karburanteve. Të ardhurat e administratës doganore u rritën me 7.3% në krahasim me një vit më parë”, tha Gjokuta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb