Deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi, ka paralajmëruar se do t’i drejtohet SPAK për planin për ndërtimin e një fabrike prodhimi armësh në Shkozë, duke e konsideruar projektin një kërcënim serioz për banorët dhe një shkelje të rëndë ligjore.
Sipas Çupit, qeveria ka anashkaluar autoritetet vendimmarrëse si Këshillin Bashkiak të Tiranës dhe ka rrezikuar jetën e qytetarëve me këtë vendim.
“Rrezikshmëria për banorët është jashtëzakonisht e lartë. Ata që guxojnë të marrin këtë iniciativë do të përballen me ligjin. Unë do ta ndjek këtë çështje në vazhdimësi dhe po përgatis dosjen për organet hetimore,” tha ajo për News24.
Deputetja theksoi se ky projekt është pjesë e një plani më të gjerë për rihapjen e ndërmarrjeve të vjetra të prodhimit të armëve, por pa asnjë konsultim me komunitetin apo institucionet përkatëse.
Çupi u shpreh se do të kërkojë një hetim të thelluar për këtë çështje, duke nënvizuar se banorët e Shkozës nuk mund të lihen nën rrezik për interesa të fshehta politike apo ekonomike.
“Rrezikshmëria e banorëve është jashtëzakonisht e rëndë. Ata që guxojnë të marrin këtë iniciativë do të përballen me ligjin dhe unë do ta ndjek në vazhdimësi dhe do të mundohem të përgatis të gjithë dosjen që t’u drejtohem organeve hetimore. Do t’i drejtohem SPAK patjetër sepse së pari ka shkelje ligjore dhe ajo që është po ashtu shkelje është anashkalimi i autoritetit vendimmarrës si Këshilli Bashkiak i Tiranës”, theksoi ajo.
(BalkanWeb)