Kreu i Gjyshatës Botërore të Bektashinjve, Edmond Brahimaj, ka folur për “News24” dhe “BalkanWeb”, pas zbulimit të celulës terroriste iraniane nga Policia e Shtetit, e cila do të kryente sulm terrorist në Shqipëri ditën e Sulltan Novruzit.
Në një intervistë për gazetaren Dorjana Bezat, Baba Mondi ka deklaruar se është njoftuar për planin e kësaj celule për sulm terrorist në kohën kur ka qenë duke kremtuar festën e Novruzit në Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve. Ai është shprehur se lajmin e ka marrë pas arrestimit të dy organizatorëve, të cilët janë kapur në hyrje të Kryegjyshatës pa arritur të hynin brenda dhe të realizonin sulmin.
Atë ditë keni kremtuar festën e Sulltan Nevruzit, ju njoftoi policia se do të kryhej një sulm?
Ishim në fillimin e kremtimit të festën kur e morëm vesh se do kryheshin akte terroriste ndaj nesh dhe kundërshtarëve të Iranit. Zoti na nderoi që asgjë s’do të ndodhte. U kapën në kohë. Foli dhe Pompeo, se ata ishin për një akt terrorist në Shqipëri. Kjo nuk është pjesë e besimit, por e njerëzve që duan të krijojnë përplasje. Feja islame është feja e paqes, mirësisë e dashurisë. I lutem Zotit të kemi sa më pak njerëz të tillë.
Mbërritën brenda Kryegjyshatës këta dy persona?
Jo nuk arritën. I kapën te hyrja, pa krijuar incident.
Keni pasur kontakt me oficerët e antiterrorit?
Kemi bashkëpunuar me anti-terrorin, është ngritur dhe një qelizë nga kryeministri. Edhe komunitetet fetare kanë dhënë mbështetjen e tyre për luftën kundër terrorit.
Selia e Shenjtë e bektashinjve frekuentohet shpesh nga anëtarët e MEK …
Kjo është shtëpia e Zotit, është e hapur, nuk ndalojmë njeri. Nuk kemi marrëdhënie të ngushtë me ta, sepse ne jemi të besimit dhe nuk kemi punë me politikë.
Keni parë gjë të dyshimtë që prej vitit 2014?
Jo, nuk kemi pasur asgjë të dyshimtë, vazhdojmë punën në paqe.
Kur e mësuat lajmin për sulmin, në mars të 2018?
Ndodhi pas kapjes së personave. Policia i kishte kapur ata, na pyeti neve kush janë ata. Ne i thamë që ata kanë ardhur si gazetarë dhe jo si terroristë.
A keni një mesazh për këta persona?
Mesazhi im është që të ketë sa më shumë paqe, mirësi dashur dhe sa më pak akte të tillë, që nuk ju takojnë njerëzve. Është forma më e ulët e njerëzimit.
(d.ç./BalkanWeb)