Antiterrorizmi në Itali ka shpërbërë një rrjet neo-nazist të quajtur “Ujku”, i cili kishte planifikuar sulme ndaj kryeministres Giorgia Meloni. Baza e këtij rrjeti ishte në Bolonja, por arrestime janë realizuar thuajse në të gjithë Italinë.
Deri tani, 12 persona janë vënë në pranga, pasi konsiderohen pjesëtarë të grupit supremacist dhe neo-nazist të quajtur “Werwolf Division”. Ata akuzohen për veprime me qëllime terroriste, propagandë, nxitje të krimeve për arsye racore, diskriminim etnik dhe fetar, si dhe për posedim të armëve të zjarrit.
Në kuadër të operacionit të koordinuar nga Drejtoria Kombëtare e Antimafias dhe Antiterrorizmit, po kryhen dhe 13 kontrolle të tjera në disa shtëpi. Janë gjithsej 25 të dyshuar, nga 19 deri në 76 vjeç, dhe disa prej tyre tashmë janë nënshtruar kontrollove. Hetuesit e përkufizojnë grupin si një “qelizë të vërtetë të organizuar, tashmë në fazën operacionale dhe të aftë për të kryer sulme duke përdorur teknikat e përdorura nga të ashtuquajturit ‘ujqër të vetmuar’”.
Hetimet kanë treguar se kjo celulë neonaziste kishte përgatitur “sulme të rënda” ndaj Melonit dhe një ekonomisti nga Forumi Ekonomik Botëror. Nga përgjojjet, ka dalë se të dyshuarit kanë diskutuar për këtë në biseda të përgjuara. Po ashtu, ata akuzohen për veprimtari propagandistike, prozelitizëm dhe përgatitje të veprimeve të dhunshme, si pastrimi i “tradhtarëve” të lëvizjes.
Grupi neo-nazist dhe supremacist zhvillonte aktivitetin e propagandës dhe rekrutimin e burrave dhe grave të reja, gati për revolucion, përmes grupeve në Telegram si «Werwolf Division Discussions» dhe «New Dawn Movement» (kjo e fundit më e kufizuar dhe e krijuar më vonë, për të fshehur projektet më të dhunshme dhe gjithashtu për të formuar ‘luftëtarë’). Është provuar se ata zhvillonin takime live dhe shpërndanin fletëpalosje të realizuara në zonën e Bolonjës.
Hetimi nisi pas gjetjes së fletushkave në vitin 2022, të shpërndara në të gjithë territorin e Emilian, të cilat militantët i kishin cilësuar si “eksplozivë”. Fletushkat përshkruanin imazhin e një personi me një “maskë kafke” dhe të armatosur me simbolin nazist të diellit të zi, dhe përmbanin citimin e ekstremistit të djathtë francez, Dominique Venner: “Asgjë nuk do të arrihet derisa farat e regjimit liberal të çrrënjosen deri në rrënjë”.
Organizata “Ujku” ishte një organizatë rezistence e krijuar dhe drejtuar nga Schutzstaffel gjatë muajve të fundit të Luftës së Dytë Botërore, për të kryer akte sabotazhi dhe luftë guerile kundër aleatëve. Organizimi i këtyre njësive iu besua Komandantit të Përgjithshëm të SS Himmler, i cili e vendosi atë nën komandën e SS-Obergruppenführer, Adolf Prutzmann dhe SS-Brigadeführer, Karl Pfaumer.