TIRANË- Revoltë tek Krimet e Rënda. Një sherr i madh ka ndodhur dje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ku madje është thirrur për ndihmë policia.

Çështja “Shullazi” ka ndezur gjakrat mes prokurorëve që refuzuan të uleshin në bankën e akuzës duke i kërkuar llogari drejtueses së Prokurorisë së Krimeve të Rënda Donika Prela për masat disiplinore.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se për të qetësuar situatën Prela ka thirrur policinë. Dy grupe të gatshme qëndruan te Krimet e Rënda deri në kthimin e gjendjes në normalitet.

Lëvizjet e fundit të befta në Prokurori kanë sjellë një situatë aspak normale në organin e akuzës që përfaqëson shtetin. Dje Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku urdhëroi caktimin e përkohshëm të 3 prokurorëve për Krimet e Renda, në Berat, Pukë dhe Pogradec.

Konkretisht Olsian Çela nga Prokuroria për Krime te Rënda, transferohet në Prokurorinë e Beratit. Ndërkohë Sonila Muhametaj nga Prokuroria për Krime të Rënda u transferua në Prokurorinë e Pukës.

Lëvizjet kanë prekur edhe Besim Hajdarmatajt, prokuror i çështjes “Tahiri” i cili është transferuar nga Prokuroria për Krime të Rënda në Prokurorinë Pogradec.

Po kështu Arta Marku kërkoi hetimin disiplinor të 10 prokurorëve që refuzuan gjykimin e çështjes ‘Shullazi’.

“BalkanWeb” mësoi se Kryeprokurorja e përkohshme kishte urdhëruar kreun e Drejtorisë së inspektimit në Prokurori Sokol Stojani që të hetonte 10 kolegët e tij, por ky i fundit nuk ka pranuar. Pavarësisht se Stojani është caktuar në këtë detyrë nga vetë Marku, ai ka pasur një sërë pakënaqësish madje edhe debate me kryeprokuroren. Ndaj kjo e fundit e ka lëvizur nga detyra Sokol Stojanin, por ende nuk dihet pozicioni i tij i ri.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb