TIRANË

Ish-ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj tha se në platformën e Partisë Demokratike parashikohet rikthimi i taksës së sheshtë që sipas tij do të thotë dyfishim të taksës aktuale.
Në studion e News24 në rubrikën “Opinion”, Ahmetaj analizoi shtyllat e paketës së PD dhe për të ilustruar rritjen e taksave, tha se një infermier nga 2 mijë e 23 lekë të reja do paguajë rreth 4 mijë e 100 lekë taksa.

“Diskutimi ekonomik që i intereson, i dhemb apo i shkon në shtëpi qytetarëve është e rëndësishëm të bëhet transparente.
Cilat janë shtyllat e paketës, e para është rikthimi tek taksa e sheshtë. Për çdo të punësuar në Republikën e Shqipërisë që ka një pagë nën 1 mln lekë në muaj, taksa i dyfishohet. Unë në shkrim kam sjellë shembuj konkretë se çfarë ndodh në pagën e një infermiere.
Taksa e sheshtë do të thotë se 300 mijë të punësuar do të pësojnë një rritje të konsiderueshme takse nga 9 herë deri në dyfish, pra deri në dy herë dhe gjithë gama e të punësuarve është 40% e të punësuarve. Shumë që këtyre familjeve iu ngarkohet në kurriz është 5.6 mld lekë, pse rreth 50 milionë dollarë dhe pothuajse e njëjta shumë i hiqet vetëm 5% të punësuarve”, tha kreu i komisionit të Ekonomisë.

Sipas Ahmetaj, kjo forcë politike po vjen me një instrument fiskal që godet pjesën më të madhe të popullsisë. “Më thuaj pse do jetë një infermier, një mësues, një i punësuar në sektorin privat të shtunën në protestë. Pse? Që të mbështesë një alternativë që i rrit dyfish taksat? Një infermier, sot paguan 2 mijë e 23 lekë të reja, do paguajë 41 mijë lekë të vjetra. Pra dyfishimi i taksës”, tha Ahmetaj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb