NGA: ERMELINDA HOXHAJ*
Numri i kufizuar i tualeteve publike si dhe derdhja e ujërave të zeza në zona të ndryshme të Adriatikut vijojnë të shkaktojnë ndotje të ujërave detare dhe infeksione të lëkurës te pushuesit. Mjekët japin alarmin për shtimin e këtyre rasteve sidomos te fëmijët, pasi infeksionet te fëmijët janë më të shpeshta dhe më të rrezikshme. Edhe pse raporti i publikuar për periudhën e majit nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit i rendiste plazhet e Durrësit, Kavajës, Gjirit të Lalzit me cilësi uji shumë të mirë, kjo gjë nuk është aspak e vërtetë. Dëshmitë e ndotjes në këto plazhe janë fëmijët, të cilët i drejtohen Urgjencës së Pediatrisë për shkak të infeksioneve që marrin në det. Qendra spitalore universitare “Nënë Tereza” është një nga institucionet e vetme që nuk merr pushime. Madje, për pushimet e verës, puna në këtë qendër spitalore është edhe më e madhe, sidomos për shërbimin e urgjencave. Sipas mjekëve pediatër, janë me dhjetëra-qindra fëmijë që kthehen nga pushimet apo nga një fundjavë në plazh, me probleme në lëkurë por jo vetëm. “Këtë vit janë të shumtë fëmijët që u shfaqet herpes virus në lëkurë. Fillimisht dalin si puçrra në dy-tri vende, por më pas përhapen në të gjithë trupin. Më të rriskuar janë fëmijët që kanë imunitetin e dobët”, tregojnë mjekët pediatër. Raste të tilla në Urgjencën e Pediatrisë, mes 250 fëmijëve që janë drejtuar për të marrë shërbim, kanë qenë 50-60 fëmijë në 24 orë.
PLAZHET & INFEKSIONET
Në Urgjencën pediatrike në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, sipas të dhënave, kryhen mesatarisht rreth 250 vizita në ditë. Në fundjavë, kur grumbullimi i pushuesve nëpër plazhe është edhe më i lartë, problemet dhe ndotja e ujërave bregdetare shtohen; po ashtu, edhe problemet që u vijnë pushuesve dhe kryesisht fëmijëve janë në rritje. Mungesa e kushteve higjienike, shpeshherë derdhja e ujërave të zeza në det, por edhe papërgjegjshmëria e vetë pushuesve që nevojat e tyre biologjike i kryejnë në ujërat e detit ku lahen, ka sjellë një sërë problemesh, sidomos te pushuesit në moshë më të vogël. “Kemi pasur shumë raste të fëmijëve me infeksione në lëkurë. U dalin puçrra fillimisht, të cilat më pas kthehen në plagë e përhapen në të gjithë trupin. Është herpes dhe ka raste që shoqërohet me temperaturë. Në këto raste fëmijët duhet të marrin patjetër antibiotik për të eliminuar infeksionin, por në disa raste u rekomandohet vetëm një medikament në formë kremi për trajtim të jashtëm, për të eliminuar më tepër kruajtjen dhe përhapjen”, sqarojnë mjekët pediatër në Urgjencën e QSUT-së. Sipas tyre, fëmijët që kanë trajtuar ditët e fundit, nuk janë të përqendruar vetëm nga një zonë apo një plazh, por janë gati në gjithë vijën bregdetare, sidomos të detit Adriatik.
“Nga Shkodra deri në Vlorë. Nuk kemi raste vetëm nga një zonë e bregdetit, por ka shtrirje shumë të gjerë, nga veriu, deri në plazhet e qytetit të Vlorës. Nga ky qytet duhet thënë se janë shtuar rastet e fëmijëve që kthehen me infeksione nga pushimet kryesisht në lëkurë, por ka dhe shumë raste që kanë infeksione në sy apo vesh”, sqarojnë mjekët. Ditën e djeshme, vetëm gjatë orëve të mëngjesit në Urgjencën e Pediatrisë janë trajtuar 5 raste të fëmijëve me herpes. Po ashtu, sipas mjekëve, të shumtë janë edhe fëmijët të cilëve për shkak të neglizhencës së prindërve, pasi i lënë në diell për një kohë të gjatë, u dalin flluska me ujë nga djegia e diellit. “Një pjesë e tyre ka kërkuar shtrime në spital për shkak të zgjatjes së temperaturës, për shkak të komplikacioneve që mund të ketë pasur fëmija. Këto ditë ka pasur dhe raste të fëmijëve me dizenteri. Rastet lidhen me pakujdesje të prindërve ndaj kushteve higjieno-sanitare dhe marrjes së mikrobeve të cilat nuk lidhen me stinën”, sqarojnë mjekët. Për të shmangur sëmundjet e lëkurës mjekët këshillojnë mosekspozim në mesditë në diell, shpëlarje të trupit pas daljes nga deti si dhe rritje të higjienës personale. Ajo çfarë dermatologët rekomandojnë është mjekimi i menjëhershëm i çdo infeksioni të shprehur në lëkurë, dhe gjatë kohës së trajtimit nuk duhen frekuentuar fare plazhet dhe pishinat.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)