Policia e Vlorës ka ndërmarrë sot një aksion për pastrimin e territorit në bregdetin e Himarës, ku u sekuestruan disa çadra.

Mësohet se në Dhërmi janë sekuestruar 37 çadra dhe 68 shezlongë si dhe janë proceduar 3 persona, që administronin këto hapësira.

NJOFTIMI I POLICISE
Nis operacioni policor i koduar “Plazh i lirë”, me qëllim lirimin e hapësirave publike në plazhe. Operacioni, nga Komisariati i Policisë Himarë, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Himarës.

Operacioini ka nisur nga Dhërmiu dhe gjatë ditës së parë të këtij operacioni, u konstatuan 3 raste të pushtimit të hapësirave publike për t’i shfrytëzuar me qëllim fitimin.

Gjatë operacionit u sekuestruan 37 çadra dhe 68 shezlongë.

Në vijim të veprimeve procedurale për këto raste, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:

-R. I., banues në Tiranë, pasi kishte vendosur pa autorizimin përkatës, 15 çadra dhe 30 shezlongë;

-L. C., banuese ne Tirane, pasi kishte vendosur pa autorizimin përkatës, 12 çadra dhe 24 shezlongë;

-E. A., banues në Tiranë, pasi kishte vendosur pa autorizimin përkatës, 10 çadra dhe 14 shezlongë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Pushtimi i tokës”, “Mospagimi i taksave dhe i tatimeve” dhe “Ushtrimi i aktivitetit tregtar i paregjistruar”.

Operacioni “Plazh i lirë” vijon.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: