NGA: KLODIANA HAXHIAJ* KAVAJE- Në gjiret e bregdetit Adriatik të zonës së Kavajës, ndodhen disa plazhe të fshehura e të panjohura deri tani për shumëkënd në Shqipëri. Bëhet fjalë për plazhe elitare, të cilat, ndonëse nuk njihen nga vendasit, kanë klientë nga shumë shtete të Europës. Në bregdetin e Karpenit fillon mrekullia e plazheve të Kavajës dhe mbaron në Spille, në një vijë bregdetare prej 30 km. Nga Karpeni i virgjër, në ditë me qiell të pastër shikon ndërtesat shumëkatëshe në brigjet përkarshi, prej Durrësit në Golem. Nga Tirana në Karpen duhet të përshkosh 60 km.

Në autostradën Durrës-Rrogozhinë, në periferi të Kavajës merr kthesën djathtas dhe pasi kalon rreth 7 km rrugë fshati (herë-herë me asfalt dhe më pas me zhavorr në fshatrat Synej, Hajdaraj, Bago, Rrikaj dhe Karpen), shfaqet mrekullia e plazheve të Shqipërisë së Mesme, që për nga bukuria janë të krahasueshme me plazhet e rivierës shqiptare. Si në rrallë vende të tjera në Shqipëri, bunkerët janë po aty ku ishin ndërtuar dekada më parë. Këtu ndërtimet janë shumë të pakta; kjo edhe si pasojë e infrastrukturës së keqe rrugore, e cila trashëgohet që para viteve ‘90. Rruga e ngushtë e me pluhur është ndërtuar për transportin e materialeve ushtarake të zonës. Investitorët në këtë zonë janë të paktë. Ndërkohë, bien në sy tunelet ushtarake që janë kthyer në pjesë të infrastrukturës turistike. Mbi këto tunele janë ngritur vila prej druri për pushuesit. Objektet ushtarake janë kthyer në funksion të plotë për turistët e huaj.

PLAZHI I KARPENIT
Në kampingjet e plazhit të Karpenit nuk ka asnjë pushues shqiptar, por vetëm gjermanë, holandezë, çekë, polakë e belgë. Një çift turistësh belgë shprehen se “kemi dy ditë këtu dhe është një eksperiencë shumë e mirë. Kemi udhëtuar me makinën tonë dhe kemi mbetur shumë të kënaqur. Ka restorante shumë të mirë dhe njerëzit janë shumë miqësorë në vendin tuaj. Ishim për herë të parë në Shqipëri, erdhëm nga Antverpi i Belgjikës. Do të rikthehemi sërish, për eksperienca edhe më të bukura”. Turistët e huaj qëndrojnë nën hijet e pemëve, midis bunkerëve të ndërtuar në kodër në kohën e diktaturës për kundërajrorët, ndërsa vapa nuk ndihet aspak.

Investitori, i cili nuk do që të identifikohet, është kujdesur me mjaft mjeshtëri për ta transformuar ambientin në shërbim të turistëve. Një çift turistësh çekë qëndrojnë prej disa ditësh në këto brigje. Hana thotë: “Jemi me pushime për 2 javë në vendet e Ballkanit. Kemi udhëtuar nga Mali i Zi në Shkodër dhe më pas erdhëm në Karpen. Do shkojmë dhe në Sarandë e Butrint. Fëmijët i kemi të rritur, djali im është 30 vjeç, i martuar. Sapo të shkoj në Çeki, do t’i tregoj për natyrën e bukur shqiptare. Ai do të vijë këtu patjetër për ta vizituar”.

Ndërsa, një çift pohon se “ne erdhëm për të bërë një tur dyjavor në plazhet e Shqipërisë, por vendosëm të qëndrojmë këtu, pasi na duket një mrekulli e vërtetë. Ne këtu bëjmë not, lexojmë, shkojmë në plazh dhe dalim marrim ushqime të freskëta. Është kënaqësi e vërtetë, sepse këtu kemi gjetur ushqime bio”. Dy turistë nga Holanda duket se janë dashuruar me kuzhinën shqiptare. “Do të qëndrojmë disa ditë. E veçanta është që këtu ne marrim peshk të freskët nga barkat e peshkimit dhe e konsumojmë. Ushqimi është fantastik, është i freskët nga banorët e zonës. Gjithçka është bukur në vendin tuaj, ku edhe njerëzit janë shumë të dashur, mikpritës dhe miqësorë me ne të huajt”, shprehen ata.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: