Skënder Gega ishte në kërkim të një mbrojtësi të djathtë si alternativë e Labinot Ibrahimit dhe kishte kërkuar me ngulm që në verë anësorin vlonjat Hektor Idrizaj, por dëshira atëherë nuk iu plotësua. Gjithsesi Gega mund të kënaqet tani, pasi Idrizaj është zyrtarisht një lojtar i Partizanit.

Mbrojtësi titullar i Kamzës do të kalojë te klubi kryeqytetas pas shumë ditësh tratativash me presidentin Naim Qarri, që nuk pranonte kurrsesi ta linte të lirë lojtarin e tij. Gjithsesi klubet kanë gjetur gjuhën e përbashkët dhe më në fund Idrizaj ka veshur fanellën e kuqe.

Partizani zyrtarizoi afrimin e ri në faqen e tij, ku njoftonte: “Klubi njofton arritjen e marrëveshjes me Hektor Idrizaj. Mbrojtësi i djathtë ka mbyllur aventurën te ekipi Kamzës dhe tashmë do të jetë pjesë e të kuqve. Idrizaj ka nënshkruar sot kontratën për një vit e gjysëm me Partizanin dhe është prezantuar në ambjentet e klubit. Mbrojtësi vlonjat i cili do të mbajë fanelën me numër 4, do t’i bashkohet menjëherë ekipit. Në kategorinë superiore përveç Kamzës, Idrizaj ka qenë pjesë edhe e Flamurtarit, Skënderbeut, Bylisit dhe Teutës.
#MirësevjenNëFamiljenEKuqeHektor”

(j.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: