Një pamje e Evropës dhe Kosovës në të nga ëmbëltorja “Elida”

1.

Ditën që ra Muri i Berlinit di saktësisht se kam ndier të jetë një ngjarje e madhe dhe nuk kam ditur saktësisht se çka do të ndodhë më tutje.

Një ndjenjë të tillë kanë pasur shumica e njerëzve që kanë ndenjur në ëmbëltoren “Elida” në “Boro e Ramiz”, vendi tashmë i njohur ku pinin kafe figurat kryesore të asaj që do të bëhet “Alternativa” e Kosovës, opozita demokratike ndaj pushtetit të Beogradit dhe të sistemit komunist në tërësi.

“Alternativa” e Elidës ndonëse nuk ka ditur se çka do të ndodhë më tutje, ka ditur se duhet të ndodhë shpejt. Dhe brenda disa javëve në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës dhe rreth saj u hap pak nga pak dera e opozitarizmit me themelimin e degës së Prishtinës të “UJDI-së” (Shoqatës për Iniciativë Demokratike të Jugosllavisë), pastaj një goditje më e madhe me themelimin e Sindikatës së pavarur të punëtorëve të “Ramiz Sadikut” (e pastaj edhe të Kosovës), dhe përfundimisht sistemit iu dha përmbysje me themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Brenda disa javëve, para tridhjetë vjetësh, Kosova krijoi lëvizjen më të madhe pro-demokraci në Jugosllavi.

2.

Ka tashmë dhe do të ketë historianë që do të merren me këtë periudhë. Pa dyshim që ka gjëra për të shkruar, madje bukur shumë, prej dëshmitarëve që janë ende të gjallë dhe që mund t’ia japin kontributin e tyre të çmuar historisë.

Por, ndërsa mendoja se çka do t’ia vlente të shkruhej për tridhjetëvjetorin e rënies së Murit, më ngacmoi përshtypja se Muri në fakt është ende duke u rrëzuar.

Përshtypja është e gabuar, e di. Muri i Berlinit është rrëzuar – ka tridhjetë vjet gati që shkoj rregullisht në Berlin dhe shoh se si po integrohet qyteti dhe se si vija ndarëse, në asfaltin e rrugëve, mbetet shenjë e rëndësishme për turistë, historianë dhe bashkëkohës.

Dhe dihet që me Murin ra edhe Bashkimi Sovjetik, Pakti i Varshavës, e me këtë rënie të botës dypolare ra edhe Jugosllavia, e zhbërë në luftëra që vranë qindra e mijëra njerëz, ajo e fundit u bë në Kosovë.

Po, që të gjitha këto ndodhën. Dhe po ta shikosh nga perspektiva e një polaku, lituani apo hungarezi, Muri i Berlinit definitivisht ka rënë. Po ta shikosh nga “Elida”, gjërat duken pak më ndryshe.

3.

Nëse thjeshtësohet, ajo që quhej “Alternativa” në fund të vitit 1989 , pra para tridhjetë vjetësh, kishte një platformë prej tri pikësh. Me “Platformën Elida”, nën një, Kosova duhej të bëhej një shtet demokratik. Dy, ajo Republikë, pra shtet demokratik, duhej të kishte të drejtë të vendoste fatin e vet barazi me republikat e tjera; në rast të zhbërjes së ish-Jugosllavisë , do të bëhej e pavarur. Tre, ajo Republikë do të ishte pjesë e botës euroatlantike.

Jemi afër apo larg asaj platforme?

Vlen të shikohet nga të dy prizmat, edhe të afërsisë e edhe të largësisë.

Po, Kosova është shtet që mban rregullisht zgjedhje , dhe këto të fundit, më 6 nëntor, nuk po kontestohen për ndonjë gabim a vjedhje të madhe apo të ndonjë rëndësie. Por, gjithashtu, Kosova konsiderohet prej një pjese të madhe të opinionit publik e tashmë edhe prej vlerësimeve të vrojtuesve të Bashkimit Evropian si një shtet i kapur.

Po, Kosova është një vend që ka vendosur për fatin e vet, pas negociatave të gjata me bashkësinë ndërkombëtare dhe me ndihmë të saj, dhe ka shpallur pavarësinë si pjesë e një projekti më të gjerë se vullneti vetjak. Por, gjithashtu, kjo pavarësi është kontestuar në formë aktive nga Serbia dhe përkrahësit e saj ndërkombëtarë, e me mendjelehtësi (për të mos dhënë akuzë më të rëndë) pushteti i Kosovës i paspavarësisë ka nënshkruar me dorë të vet se Kosova është e kontestueshme edhe si pavarësi, edhe si territor.

Dhe, po, Kosova është pjesë e kujdesit të botës euroatlantike. Paqen dhe tërësinë tokësore të vendit i ruan NATO-ja, rrugën e shtetformimit e ndihmojnë në formë aktive BE-ja dhe SHBA-ja. Por, njëkohësisht, ka shtete të BE-së dhe të NATO-s që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, duke ia mbajtur larg perspektivën e integrimit në botën euroatlantike. Në këso konditash, vendit i janë vërsulur ideologjitë dhe veprimet e aktorëve joevropianë dhe joperëndimorë, nga Rusia, Turqia, vendet e Gjirit.

Po të përmblidhet në një fjali, Kosova është demokraci zgjedhore që e ka shpallur Pavarësinë e saj dhe e ka synim botën euroatlantike.

Por, njëkohësisht, e vërtetë është edhe kjo fjali e kundërt: Kosova është shtet i kapur me pavarësi e sovranitet të kontestuar dhe me perspektivë të largët integrimi euroatlantik, aq të largët, saqë prej kohësh e vetmja formë e integrimit në Evropë është emigrimi.

Puqja e dy fjalive kundërthënëse mes vete tregon një paqartësi historike. Dhe kjo ndodh sepse, për Kosovën, ende shihet pluhuri i rënies së Murit të Berlinit.

4.

Pluhuri i ka tri dimensione.

I pari është i sigurisë evropiane. Para se të shembej Muri i Berlinit, Moska ishte në kufijtë lindorë të Jugosllavisë, në Bullgari e Rumani. Sot është te ura e Mitrovicës, nëpërmjet ngacmimit aktiv kundër Kosovës së pavarur si një produkt të politikës perëndimore. Republika e Kosovës, si shtet demokratik, funksional dhe pjesë e një Evrope të bashkuar, është në kundërshtim me interesin e Rusisë për të mbajtur pika të hapura konfrontimi me Perëndimin, sa më larg kufijve të Rusisë.

I dyti është ai i paqes evropiane, i fundit të çintegrimit të Jugosllavisë, të fundit të konflikteve. Ndonëse lufta ka përfunduar para 20 vjetësh, Kosova dhe Serbia nuk jetojnë me marrëveshje paqeje. Që të dyja jetojnë në konflikt të papërfunduar.

Dhe i treti ka të bëjë me identitetin evropian. Para tridhjetë vjetësh rënia e Murit simbolizonte rënien e pengesave për shtrirjen e një forme të shoqërisë e shtetësisë që karakterizonte shtetet evropiane të Perëndimit. Të mbledhura nën një kulm vlerash dhe institucionesh, shtetet e Evropës duhej të përfshinin brenda vetes tërë hapësirën prej Atlantikut deri në kufijtë e Rusisë, Ukrainës dhe Turqisë. Sot, në atë Evropë, qytetari i Kosovës është më i izoluar se ai i vitit 1989. Më 1989 qytetari i Kosovës, paradoksalisht, ishte më evropian në të drejtat e tij të lëvizjes se ai polak, estonez apo rumun.

Që tani ekziston Evropa e rrathëve koncentrikë të lirive. Në qendër janë ato shtete që përbëjnë bërthamën euroatlantike. Në rrethin pasues janë ato shtete që po i adaptohen euroatlanticizmit, ndonjëherë edhe duke shkarë kah “demokracia joliberale”, siç ndodh në Evropën Qendrore. Në periferi janë ato shtete që janë nisur disi drejt bërthamës. Në periferi të periferisë është Kosova.

5.

Tridhjetë vjet pas, Kosova bën mirë t’i kthehet e të riformulojë caqet e veta për dhjetëvjetëshin e ardhshëm.

Tri pikët e vitit 1989 ende vlejnë, me fokusim më të hollësishëm.

Pra, në “Elidë” thoshim se Kosova duhet të jetë shtet demokratik, me të drejtë që të vendosë barabar me shtetet e tjera dhe që pjesë e asaj vendosjeje ishte të qenit brenda familjes euroatlantike, tash duhet të riformulojmë nga fundi.

Kosova duhet në këtë dhjetëvjetësh të jetë shtet anëtar i NATO-s. Anëtarësimi do ta vendosë vendin qartazi në familjen ku e ka vendin. Kufijtë e Kosovës duhet të jenë kufij të jashtëm të NATO-s, ndërsa ushtria e saj në dispozicion për operacione shumëkombëshe paqeruajtëse.

Kosova duhet të jetë e barabartë me shtetet e tjera të ish-Jugosllavisë, ashtu siç u deklaruam më 1989. Kjo barazi nuk është e mundur pa e arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse paqeje me Serbinë, që do t’i japë fund konfliktit. Barazia mes Kosovës dhe të tjerëve mund të mbërrihet vetëm me respekt të ndërsjellë; kjo gjë vlen edhe për Serbinë.

Dhe, Kosova duhet të jetë një demokraci funksionale evropiane. Kjo do të thotë që të jetë edhe shtet i së drejtës, edhe shtet modern social, çfarë janë shtetet e tjera evropiane. Se a do të jetë ky shtet pjesë e BE-së dhe çfarë do të jetë BE-ja, nuk është çështje që vendoset në dhjetë vjetët e ardhshëm; me rëndësi është ta gjejë Evropën brenda vetes.

Brenda këtij dhjetëvjeçari duhet kërkuar prapë një pikë inspirimi: në kushte shumëfish më të mira se ato që i kishim më 1989, ky vend duhet të fillojë të gjenerojë shpresë, atë energji të madhe, kolektive, që e kishim para tridhjetë vjetësh, ndërsa rrëzohej një mur i madh që ndante kombe, mundësi e liri./koha.net

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb