AUSTRI- Kanë kaluar tri vite nga vrasja e një 45-vjeçari shqiptar në Linz të Austrisë, ndërsa vrasësi është ende në arrati. Pas kryerjes së vrasjes ai ka ikur në Çeçeni, (vendlindjen e tij) ndërkohë për autoritetet austriake ende është i ‘paprekshëm’.

Albinfo.ch. shkruan se personat që ishin pjesë e krimit kryen dënimet dhe tashmë janë në liri.
Vrasja e shqiptarit ndodhi në tetor të vitit 2014, kur katër veta (boshnjakë dhe çeçenë) kishin planifikuar të dhunonin shqiptarin Rexhep B. dhe shokët që ishin me të. Sherri, që dyshohet të ketë pasur pas tij motive xhelozie, ka përshkallëzuar akoma më shumë, përcjell orf.at. Gjatë përleshjes, njëri nga autorët, një çeçen, papritur kishte nxjerrë një pistoletë dhe qëlloi ndaj shqiptarit, duke e goditur atë me një plumb afër kokës.

Prokurori i çështjes pohon se ekstradimi i çecenit për në Austri duket gati i pamundur. Kjo për faktin se Çeçenia nuk lejon ekstradimin e qytetarëve të vet jashtë vendit. Por, një zëdhënës i policisë thotë se ka ende shanse të mira që ai të kapet përmes një fletë-arresti ndërkombëtar, në rast se ai do të udhëtonte jashtë Çeçenisë. Një fletë-arrest ndërkombëtar që vlen në gjithë botën mbetet në fuqi me dhjetëra vite dhe përmes tij ka mundësi që kurdoherë i dyshuari kryesor për vrasje të sillet para gjykatës austriake.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb