SHBA-Ushtria amerikane po teston plumbat inteligjentë që do të vetëdrejtohen për të arritur në shënjestër me saktësi të madhe. Plumbat që kapin objektivin edhe kur ai është në lëvizje, pritet të shpëtojnë ushtrinë amerikane nga telashet e pasaktësisë së snajperistëve

Ushtria amerikane ka zbuluar për publikun se po teston një lloj plumbi revolucionar që do të kontrollojë veten, test që është në një fazë të përparuar. Predhat e fundit të Artilerisë me Detyrë të Saktësisë Ekstreme e njohur si Exacto, kanë treguar se për herë të parë përdoruesit mund të godasin një shënjestër në lëvizje.

Plumbat kanë një sistem drejtimi në kohë reale për të gjurmuar shënjestrat dhe mund të ndryshojnë kursin nëse është e nevojshme.

Një qitës me eksperiencë ia doli me sukses të përdorë teknologjinë e sistemit demonstrues për të goditur vazhdimisht shënjestrat në lëvizje që i shmangeshin.

Për më tepër, një qitës fillestar ia doli të godasë në shenjë një shënjestër lëvizëse duke përdorur sistemin.

Video e publikuar tregon sesi plumbat Exacto ia dalin të manovrojnë në fluturim për të goditur shënjestrat që lëvizin dhe që shmangen.

Municioni i projektuar me kujdes i Exacto-s dhe sistemi i drejtimit optik në kohë reale ndihmon në gjurmimin dhe projektimin direkt të shënjestrës, duke marrë parasysh motin, erën, lëvizjen e shënjestrës dhe faktorë të tjerë që mund të pengojnë gjuajtjen.

“Exacto ka treguar se ajo që dikur mendohej të ishte e pamundur: drejtimi i vazhdueshëm i një plumbi të kalibrit të vogël për nga shënjestra është e mundur”, tha Jerome Dunn, menaxher programi i Agjencisë për Projektet e Kërkimeve të Avancuara të Mbrojtjes, që po zhvillon shpikjen.

Ky demonstrim me pesë plumba nga një pushkë standarde tregoi se Exacto është në gjendje të godasë shënjestra në lëvizje në largësi snajperi, gjë që ishte e pamundur për plumbat tradicionalë.

Përshtatja e kapacitetit të Exacto-s në një plumb të kalibrit 50 mm është një risi madhore dhe hap rrugën për ato që mund të jenë në të ardhmen predha të drejtuara për të gjithë kalibrat.

“Është e rëndësishme që snajperët të mund të kapin shënjestrat më shpejt, me saktësi më të madhe, meqenëse çdo plumb që nuk godet në shënjestër rrezikon sigurinë e trupave duke treguar praninë e tyre dhe duke ekspozuar vendndodhjen.

Sistemi kombinon një plumb manovrues dhe një sistem në kohë reale të gjurmimit dhe dërgimit të predhës në shënjestër, duke e lejuar plumbin të ndryshojë rrugën gjatë fluturimit për të kompensuar faktorët që mund ta nxjerrin nga rruga.

Por detajet mjedisore, si era, shiu dhe lagështia mund të ndikojnë në rrugën e plumbit.

Sipas videos, Exacto po projektohet nga Teledyne Scientific & Imaging, me fondacion nga Agjencia për Projektet e Kërkimeve të Avancuara të Mbrojtjes (DARPA). Teledyne është një firmë kërkimi dhe zhvillimi me bazë në Kaliforni.

Teledyne fitoi një kontratë me vlerë 25 milionë dollarë në 2010-n për të realizuar Exacto-n.

DARPA thotë se plumbi i krijuar nga projekti do të përmirësojë largësinë e bërë nga snajperët dhe do të sigurojë më tepër mbrojtje për trupat që shërbejnë në misione ushtarake, pasi do ta kenë më të lehtë të godasin dhe neutralizojnë objektivin.

Aktualisht, snajperët amerikanë pritet të jenë në gjendje të godasin një shënjestër nga 600 metra largësi, 90 për qind të rasteve. Me shpikjen e Exacto-s, kjo pritet ta rrisë largësinë në 2000 metra.

Pavarësisht se DARPA pretendon se Exacto është i pari plumb i llojit të tij, në vitin 2012, një vartës i Lockheed Martin me emrin Laboratorët Kombëtarë Sandia, që bën kërkime dhe projektime me Administratën e Departamentit Amerikan për Sigurinë Kombëtare të Energjisë Bërthamore, pretendoi se projektoi plumbin që drejtohej vetë.

Plumbi i Sandia-s përdor lazer për t’u orientuar, ndryshe nga sistemi kompjuterik i integruar tek Exacto.

Sipas uebsajtit të Sandia-s, duhen projektime shtesë përpara se një prototip i plotë ose një test të performohet. Megjithatë, ndryshe nga Exacto, Sandia planifikon t’i bëjë të disponueshëm plumbat për forcat e ligjit dhe jo për ushtrinë.

Sipas DARPA-s, faza e ardhshme e zhvillimit të Exacto-s do të jetë përmirësimi i saktësisë dhe performancës së teknologjisë.

(a.n/Daily mail/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: