LUSHNJE- Ishte ora 04:00 e mëngjesit kur forca të shumta policie dhe RENA zbarkuan në fshatin Remas të Divjakës, ndërsa thuhet se ishin në kërkim të dy personave të kërkuar për vrasje. Por në rrethana ende të paqarta, mbeti i plagosur rëndë një 78-vjeçar.

“U terrorizuam. Dëgjuam krisma armësh dhe u zgjuam nga gjumi. Na njoftuan se ishte plagosur xhaxhai në kokë”. Kështu deklaron në një intervistë për Agjencinë e lajmeve ‘BalkanWeb’ Haziz Lika, nipi i Haxhi Likës.

Teksa tregon momentet e tmerrit, Hazizi pohon se dëgjuan dy të shtëna me armë, ku një prej plumbave që sipas tij u lëshuan nga forcat RENEA, kapën plakun që po flinte në dhomë. Sipas nipit, plumbi e kapi të moshuarin në ballë. Po ashtu ai bëri të ditur se dy djemtë e xhaxhait të tij, (djemtë e Haxhi Likës) janë shoqëruar në polici. “BalkanWeb” mëson se bëhet fjalë për Arben dhe Martin Likën, 45 dhe 51 vjeç.

INTERVISTA
Si ndodhi ngjarja?

Në orën 4 të mëngjesit dëgjuam krisma. Dolëm me vrapë jashtë dhe pamë shumë policë të maskuar që kishin rrethuar shtëpinë e xhaxhait tim Haxhi Lika. U afruam dhe morëm vesh se ai ishte plagosur. Po flinte gjumë kur një plumb e kapi në ballë dhe dhe doli në anën tjetër të kokës. Dy krisma u dëgjuan. Qëlloi policia.

Po më pas çfarë ndodhi?
Policë me maska, me skafandra hynë në shtëpi dhe nisën bastisjen. Se dimë ça kërkonin. Gjetën një armë gjahu, që xhaxhai e kishte me leje.

Shoqëruan njeri?
Dy djemtë e xhaxhait tim u shoqëruan në polici, Arben dhe Martin Lika, 45 dhe 51 vjeç. Nuk kanë bërë asgjë, se di pse i shoqëruan.

Ku punojnë dy kushërinjtë tuaj?
Punojnë në një fabrikë polisterol në Kolonjë të Lushnjës, janë njerëz të ndershëm. S’kanë lidhje me krimin.

Cili është apeli juaj pas ngjarjes?
Duam të dimë se pse policia qëlloi drejt banesës së xhaxhait, dhe e plagosi atë. Familja e tij s’ka bërë asnjëherë asgjë kundër ligjit. Si mund të qëllojë policia në drejtim të njerëzve të pafajshëm. Askush nuk hapi zjarr dhe askush nuk qëlloi ndaj policisë. Duam që të zbardhet ngjarja, xhaxhai im u plagos nga policia kot dhe po lufton me vdekjen.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb