Pas ndërprerjes së marrëveshjes së bashkëpunimit me Henrik Hoxhajn, mikun e Nuredin Dumanit, SPAK ka vendosur ti japë statusin e bashkëpunëtorit, një tjetër anëtari të grupit kriminal.
Bëhet fjalë për të arrestuarin Skerdi Tase. Burime të besuara thanë se prokurorët pas më shumë se një viti hetimesh dolën në konkluzionin se Henrik Hoxhaj nuk kishte rrëfyer të gjithë të vërtetën dhe për krime të caktuara ai kishte fshehur fakte vendimtare, në përpjekje për të shpëtuar urdhëruesit e atentateve. për këtë arsye, u vendos që me të, të ndërpritej çdo bashkëpunim. Prokurorët ndërkohë kanë marrë dëshmitë e Skerdi Tases, i cili thuhet se dhënë detaje thelbësore dhe mjaft të rëndësishme për krime të rënda të ndodhura kohët e fundit në Elbasan.
Dëshmitë e tij konsiderohen si provë e fortë dhe janë në harmoni edhe më rrëfimet e të penduarit tjetër Nuredin Dumani, ndaj prokurorët mendojnë se i vlejnë më shumë hetimit dhe provimit të akuzave ndaj anëtarëve të grupeve kriminale. Edhe më herët Skerdi Tase kishte shprehur në gjykatë vullnetin për të bashkëpunim. Me këtë veprim të fundit, SPAK po shkon drejt përfundimit të hetimeve dhe iu ka komunikuar akuzat disa prej të pandehurve të arrestuar, si dhe ka njoftuar edhe avokatët e të akuzuarve që janë në arrati.
Brenda muajit, pritet që dosja t’i dorëzohet gjykatës për shqyrtim nga gjykatësi paraprak. ndërsa po vijojnë hetimet për disa ngjarje të tjera të rënda, që ende nuk janë zbardhur plotësisht, edhe pse të penduarit kanë dhënë detaje në lidhje me to.
Nuredin Dumani bashkëpunoi me drejtësinë, pasi i mbijetoi në atentatin në afërsi të Cërrikut. Ai rrëfeu dhjetëra krime të rënda të kryera ndër vite dhe mbi bazën e dëshmisë së tij u arrestuan shumë të dyshuar si ekzekutorë apo bashkëpunëtorë, ndërsa u shpallën në kërkim disa emra të shumëpërfolur të botës së krimit, si Ervis Martinaj i zhdukur pa gjurmë prej një viti dhe Suel Cela.
(BalkanWeb)