Në seancën gjyqësore të mbajtur sot në GJKKO për dosjen “Plumbi i Artë”, Nuredin Dumani, i penduar i drejtësisë, ka dhënë dëshmi lidhur me ekzekutimet e Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdisë në vitin 2020.

Gjatë seancës, Dumani u pyet nga avokatja Elda Zotaj, mbrojtëse e Altin Ndocit, rreth njohjes së tij me Henrik Hoxhajn. Dumani deklaroi se ishte takuar për herë të parë me Hoxhajn më 30 dhjetor 2019, pas një rekomandimi nga Festim Qoli.

“Pata një debat me një shef policie te Komisariati nr. 6. Më qëlloi disa herë kur u arrestova. Por kur dola, mora vesh që e kishin vrarë. Mu bë qejfi për këtë. I thashë: “Do t’ju jap një drekë atyre çunave.” Më tha Festimi: “Do ja japësh, se vëllai jonë është.” E kishte fjalën për Henrik Hoxhajn”, tregoi Dumani.

Ai shtoi se takimi i parë ishte në ditëlindjen e Qolit, ndërsa herën e dytë u takuan në hotel “Diplomat”, ku diskutuan për atentatet e planifikuara.

Ai tregoi se së bashku me Henrik Hoxhajn kanë shkuar më pas te një dyqan rreth zonës së Tajvanit për të blerë një telefon të enkriptuar, teksa planifikonin vrasjen e Shkozës.

Ai tregoi se asokohe pseudonimi i tij në platformën e enkriptuar SkyEcc ishte “Covid19”, ndërsa zbuloi se nuk i kishte thënë Hoxhajt se kë do ekzekutonin, por vetëm se do t’i jepte 35 mijë euro.

Sipas tij në këtë vrasje u përfshinë Klevis Alla, Asllan Plaku dhe ai vetë, duke zbardhur se Alla kishte rolin e informatorit.

“Klevisi do sillte makinë dhe pastaj do ikte me makinën e Henrikut. Do ta vrisnim një natë më herët, por na u prish makina”, tha ai.

Ai theksoi se nuk ka pasur konflikt personal me Dorian Shkozën dhe se ka vendosur që ta vriste atë pasi ka folur me Erion Alibejn, ndërsa për Anxhelo Avdinë tha se nuk kishte pasur asnjëherë qëllim që ta vriste.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb