Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, dhe drejtuesja e Institutit të Shëndetit Publik, Silva Bino, kanë reaguar pas akuzave të forta të kryedemokratit Sali Berisha se qytetarëve po iu injektohen vaksina të skaduara anti-Covid.

Në reagimin e saj, ministrja Manastirliu thekson se Sali Berisha ka gënjyer, ndërsa iu drejtohet qytetarëve, duke iu thënë se “Vaksinat janë të sigurta dhe të çertifikuara nga institucionet ndërkombëtare të sigurisë dhe cilësisë së barnave, FDA dhe EMA”.

Reagimi i Manastirliut:

Sali Berisha e përdori dhe një herë dritaren e Facebook-ut, për të gënjyer.
Nuk do t’ia vlente t’i përgjigjeshim gënjeshtrave të tij, të cilat në jo pak raste ka filluar i fshin edhe vetë kur ndokush ia vë në dukje marrëzinë e radhës.
Por, gënjeshtrat që Sali Berisha shpërndan pa pikën e përgjegjësisë, ndikojnë mbi shëndetin e qytetarëve dhe masat parandaluese që ata duhet të marrin në kushtet e Pandemisë.
Në lidhje me gënjeshtrën e fundit, sipas të cilës qytetarëve po u bëhen vaksina të skaduara, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dëshiron të informojë qytetarët si vijon:
Vaksinat janë të sigurta dhe të çertifikuara nga institucionet ndërkombëtare të sigurisë dhe cilësisë së barnave, FDA dhe EMA.
Shtyrja e afatit të vaksinave sipas një kalendari që lidhet me kohën e prodhimit është bërë për të gjithë shtetet e botës nga kompania Pfizer/BionTech dhe është miratuar nga FDA dhe EMA.
U bëjmë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e përpjekjeve dezinformuese që synojnë ta përdorin shëndetin e tyre për politikën e ditës, por t’u referohen vetëm institucioneve që kanë përgjegjësinë të mbrojnë shëndetin e tyre.

 

Po ashtu, edhe Bino hedh poshtë akuzat, duke u shprehur se “Vaksinat PfizerBioNTech të sigurta dhe efikase, shtyrja e afatit u miratua nga organizmat ndërkombëtare”.

Instituti i Shëndetit Publik sqaron qytetarët mbi të pavërtetat lidhur me vaksinat anticovid:

Vaksinat anticovid të kompanisë PfizerBioNTech janë të sigurta dhe të çertifikuara nga institucionet ndërkombëtare të sigurisë dhe cilësisë së barnave, FDA dhe EMA.

Shtyrja e afatit të vaksinave Pfizer BioNTech sipas një kalendari që lidhet me kohën e prodhimit është bërë jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë Botën nga kompania PfizerBioNTech, mbështetur në vlerësimet e njëpasnjëshme për efikasitetin dhe sigurinë e vaksinës.

Zgjatja e datës së skadencës së vaksinës Comirnaty (PfizerBioNTech) nga 3 në 6 dhe 9 muaj (shelf- life extention) nga data e reflektuar në vaksinë, sipas loteve të prodhuara dhe të shpërndara në nivel botëror, është miratuar nga të gjitha institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare të sigurisë dhe cilësisë së barnave EMA dhe FDA.

Sigurojmë edhe një herë qytetarët se vaksinat janë efektive dhe të sigurta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb