TIRANË

Kryeministri Edi Rama ka folur nga Lezha për rrugën Milot-Balldren duke iu përgjigjur akuzave të opozitës. Ai tha se do jetë e para rrugë me standard A, me të gjitha parametrat duke shpjeguar se është pjesë e aksit të korridorit blu adriatiko-jonian.

Me ironi, Rama tha se meqë erdhi mundësia po bëjmë një vjedhje të madhe dhe se autostrada e vdekjes do rindërtohet totalisht.

“Meqë erdhi mundësia po bëjmë dhe një vjedhje të madhe tek rruga Milot-balldren sepse siç keni dëgjuar ata ne vjedhim kudo ku prekim. Dhe atë rrugë, që e njihni si autostrada e vdekjes, ku kanë lënë jetën plot e plot njerëz e janë plagosur plot të tjerë, ne do rindërtojmë totalisht nga e para.
Nuk e di a e keni ndjekur po ça është kjo rrugë. Është pjesë e aksit e korridorit blu adriatiko-jonian dhe është një aks strategjik për zhvillimin turistik jo vetëm të Lezhës por gjithë Shqipërisë. Projekt prioritar që lidh jugun e Kroacisë me malin e Zi dhe Shqipërinë. Këtë segment do ta ndërtojmë vetë sepse koha nuk pret. në projektet e procesit të Berlinit është prioritet dhe do plotësohen disa pjesë të tjera. Do ta ndërtojmë për 30 muaj dhe do ta paguajmë për 13 vjet falë PPP ose siç thonë ata vjedhjes.
Do jetë e para autostradë europiane me standard A, me të gjithë parametrat. Do ketë jo vetëm 3 korsi në njërën anë dhe 3 në tjetrën por edhe rrugë paralele, që në autostradë të shkojnë e vijnë veç makinat jo dhe edhe makinat dhe bagëtitë dhe njerëzit”, tha Rama.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb