Ish-presidenti Donald Trump dhe zëvendëspresidentja Kamala Harris u përballën për herë të parë në Filadelfia, Pensilvani, në një debat të moderuar nga ABC News.

Ngjarja ishte teknikisht debati i dytë presidencial i zgjedhjeve, por ishte i pari që kur Presidenti Biden përfundoi fushatën e tij dhe demokratët propozuan Harrisin si kandidate.

Një sërë çështjesh u diskutuan gjatë debatit dhe u bënë shumë akuza kundër njëri-tjetrit, por kishte disa momente që ranë në sy më shumë se të tjerat.

Këtu janë 5 momentet më të mira nga përballja.

1. Trump thotë se donte t’i dërgonte Harris një kapele MAGA

Trump tha se “do t’i dërgonte asaj një kapele MAGA”, duke iu referuar Harris, sepse ai pretendoi se zëvendëspresidentja ka adoptuar filozofinë e tij politike gjatë fushatës. “Gjithçka që ajo besonte tre apo katër vjet më parë është jashtë – ajo ka aedhur te filozofia ime tani”, tha ai gjatë debatit.

Harris ka ndryshuar dukshëm disa qëndrime politike që kishte mbajtur më parë gjatë kohës që ishte në Senat dhe në fushatë në vitin 2019.

“Por, nëse ajo do të zgjidhej ndonjëherë, do të jetë fundi i vendit tonë. Ajo është një marksiste”, tha Trump.

2. Trump thotë se ai ‘ndoshta ka marrë një plumb në kokë’ për shkak të retorikës Biden-Harris

Ish-presidenti iu përgjigj paralajmërimeve nga Harris se ai ishte autoritar në një mandat të dytë, duke sugjeruar se komentet e saj dhe të Bidenit mund të kishin nxitur atentatin kundër tij në korrik.

“Kjo është ajo që ka armatosur”, tha Trump në përgjigje të pretendimeve të Harris.

Në vijim ai shtoi “me siguri kam marrë një plumb në kokë për shkak të gjërave që thonë për mua”. Trump u qëllua në vesh në një tubim të korrikut në Pensilvani përpara se Shërbimi Sekret të vriste sulmuesin.

“Ata flasin për demokracinë – unë jam një kërcënim për demokracinë. Ata janë kërcënimi për demokracinë”, tha Trump.

3. Harris thotë se ajo nuk është Joe Biden

Zëvendëspresidentja u tha moderatorëve: “qartë, unë nuk jam Joe Biden” pasi Trump kritikoi politikën ekonomike të administratës Biden-Harris dhe u shpreh “ajo është e njëjtë me Biden”.

“Ajo po përpiqet të largohet tani nga Biden”, tha ai.

Harris u përgjigj, duke shpjeguar se ajo nuk është Biden, duke shtuar se “sigurisht nuk jam as Donald Trump”.

“Ajo që unë ofroj është një gjeneratë e re lidershipi për vendin tonë,” tha ajo.

4. Harris qëndron përkrah tërheqjes së administratës nga Afganistani pavarësisht kritikave

“A mbani ndonjë përgjegjësi për mënyrën se si u zhvillua tërheqja?”, u pyet Harris nga një prej moderatorëve. “Epo, unë u pajtova me vendimin e Presidentit Biden për t’u tërhequr nga Afganistani”, tha ajo.

“Katër presidentë thanë se do ta bënin dhe Joe Biden e bëri”, theksoi Harris.

Gjatë tërheqjes katastrofike nga Afganistani, 13 pjesëtarë të shërbimit amerikan u vranë në një sulm terrorist. Trump gjithashtu vuri në dukje se nga tërheqja e paorganizuar, SHBA la pas burimet dhe pajisjet e saj.

Harris nuk iu përgjigj pyetjes së bërë nga moderatorët e ABC nëse ajo ndjen ndonjë përgjegjësi për natyrën e tërheqjes.

5. Trump përdor linjën e famshme Harris kundër saj

Trump nuk hoqi dorë nga batutat në debatin me Harris. “Prisni një minutë, po flas tani nëse nuk keni problem. Ju lutem”, tha ish-presidenti.

Harris mund të shihej në kamera duke ndërhyrë pasi Trump tha se ajo ishte një mbështetëse e zhvlerësimit të policisë. Përgjigja e saj nuk u dëgjua sepse mikrofoni i saj ishte i mbyllur.

Citimi i Trump ishte një thirrje për komentin e vetë Harris në 2020 drejtuar nënpresidentit të atëhershëm Mike Pence. “Z. Zëvendës President, unë jam duke folur. Unë jam duke folur”, tha ajo në kohën kur Pence filloi të ndërhynte.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: