“Koha nuk pret…”. Aktori dhe regjisori i njohur Edmond Budina sot nuk e ka parasysh filmin që luajti shumë dekada më parë, por në ditët e sotme “Koha nuk pret” për të është një thirrje për shqiptarët dhe opozitën që të reagojnë fort dhe të mobilizohen kundër regjimit të korruptuar të Edi Ramës. Edmond Budina thotë për gazetën “Panorama.al” se qytetarët duhet të vrasin frikën pasi po shitet Shqipëria dhe peshkaqenët e mëdhenj po bëjnë kërdinë…
Ai fajëson “Njëshin”, bariun e gjithëpushtetshëm, Edi Ramën, i cili kontrollon gjithçka në vend, që nga pasuritë e shqiptarëve e deri te kapja e drejtësisë. Edmond Budina dënon sulmin ndaj “Prestige Resort”, të cilin e quan të paralajmëruar pasi kur i kundërshton, të vënë edhe tritolin, pa respektuar asnjë të drejtë njerëzore apo ligjore. Ndërsa goditjen ndaj liderit të PD-së Sali Berisha e cilëson si një akt kriminal që mund të ishte fatale.
Një skenar tipik mafioz sipas tij që donin të krijonin rrëmujë që të diskreditonin opozitën, por dështoi falë pjekurisë së Berishës. Për Edmond Budinën zanafilla e dhunës është gjuha agresive, koncepti i Kryeministrit kur thotë se me mua asgjë nuk zgjidhet, duke protestuar ose duke m’u kundërvënë, por duke m’u bindur. Në konsolidimin e këtij pushteti të korruptuar kanë luajtur edhe të huajt, ambasadat e huaja që sipas Budinës nuk vënë re korrupsionin galopant, mbushjen e vendit me drogë, mosfunksionimin e shtetit ligjor, por mbështesin pa kushte pushtetarin e radhës.
Z.Budina, pse pas afro tre vjetësh nuk ka ende drejtësi për Teatrin Kombëtar?
Sepse jetojmë në një vend ku drejtësia nëpërkëmbet, në rastin më të mirë ose, sepse drejtësia, si gjithçka këtu, është e kapur nga pushteti dhe në shërbim të tij. Sikundër dihet, ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese, i cili jo vetëm hodhi poshtë ligjin Fusha, (të votuar në unanimitet prej maxhorancës, kur ishte një ligj “ad personam”) por edhe VKM-në e Kryeministrit për transferimin e pronës nga Ministria e Kulturës te Bashkia, e cila do të thotë se Bashkia duhet t’i rikthejë Ministrisë jo vetëm truallin, por pronën, sikundër ishte para 17 majit 2020, sepse Teatri ishte trashëgimi kulturore e popullit shqiptar.
Ka një sugjerim të KLSH-së, e cila i kërkon bashkisë që të mos kryejë asnjë veprim pa u shprehur Gjykata Kushtetuese dhe po ashtu, pas shembjes, kërkoi që Teatri të rindërtohet atje dhe ashtu si ishte. Ka një tufë me kallëzime në SPAK nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit për gjithë përgjegjësit, të cilët kanë kryer veprimin barbar të prishjes dhe sikundër e shihni nuk ndodh asgjë. Ndonëse janë kaluar të gjitha afatet ligjore, që SPAK-u ose duhej ta kishte dërguar çështjen për gjykim ose ta mbyllte, përsëri nuk ndodh asgjë. Nuk ka asnjë veprim, nuk sekuestrohet trualli si masë preventive, sepse ai është vendi i krimit, nuk thirren të kallëzuarit prej nesh, nuk, nuk… dhe ka një pafundësi parregullsish ulëritëse, që flasin hapur se këtu drejtësia nuk funksionon, ose funksionon vetëm në interes të pushtetarëve dhe krimit.
Përse shqiptarët nuk kanë një Shqipëri të fortë, por një Rilindje të fortë me pushtetarë milionerë?
Arsyet janë të shumta dhe do të duhej kohë për ta zbërthyer nga ana historike, e psikologjisë, mentalitetit etj., por pa dyshim një rol të veçantë ka luajtur politika 32-vjeçare, e cila ka konsoliduar një lloj mentaliteti dhe i është imponuar publikut. Te ne ka një koncept të gabuar të nocionit të partive politike. Ato nuk shikohen si një grupim vullnetar, ku njerëz me ide dhe interesa të përbashkëta krijojnë një frymë për të çuar përpara zhvillimin e vendit, ato shihen thjesht si ndërmarrje punësimi ose përfitimi vetjak. Të mos flasim pastaj kur në to nuk luhet me rregulla dhe ku rregulli i vetëm është nxjerrja jashtë loje e atyre që nuk kanë të njëjtin qëndrim e mendim me atë të udhëheqësit. Nganjëherë ato më ngjasojnë me fole grerëzash.
Adhurimi për numrin Një, krijimin e mitit të tij dhe bindjes pa kushte. Njëshi shihet gati si i paprekshëm, si një krijesë sipërore. Fjala e tij është ligj. Po kështu, qytetari i thjeshtë, votuesi, nuk arrin të vendosë me mendje të vet, por i imponohet prej militantizmit pagesës. Lënia e popullit në kushte varfërie dhe injorance nxit pikërisht këtë. Sot për mendimin tim nuk ka më të majtë e të djathtë, ka interesa dhe njerëz të ndershëm e të pandershëm. Një qytetar sot që ka pasur bindje të themi të majta, konsiderohet tradhtar nëse voton të djathtët ose anasjelltas.
Harrojmë që tani, kur ideologjitë pothuajse nuk ekzistojnë më, por edhe nëse ato janë, qytetari ka plotësisht të drejtë të votojë partinë që ka adhuruar gjithmonë, por kur ajo nuk realizon premtimet e dhëna, kur jeta e qytetarit përkeqësohet, përse ai duhet të votojë përsëri për partinë ku aderonte? Ai duhet të votojë atë parti që i sjell ndryshimin, përmirëson gjendjen e tij sociale dhe ekonomike. Ndërsa këtu te ne ai shpallet i padëshirueshëm, merret nëpër gojë e deri shantazhohet. Rilindësit, për mendimin tim, nuk kanë asgjë të majtë, ata janë një grupim i kthyer në një sekt, ku njëshi, bariu i gjithëdijshëm e i gjithëpushtetshëm, dikton e vepron vetëm sipas dëshirës e interesave të veta.
Në atë sekt veprohet sipas një rregulli të caktuar ku pjesëmarrësit joshen përmes parasë, të cilat shpesh përfitohen në mënyrë të paligjshme dhe rastet janë të pafundme. Nëse dikush nesër do të dojë të ngrejë zërin për një padrejtësi, nuk do të mundet, sepse rrjeta e merimangës e ka lidhur dhe e kërcënon: “Nëse na tradhton do të humbasësh gjithçka dhe sidomos do të të shkatërrojmë ekonomikisht!”. Për këtë ata si buburrecat rrinë në rresht dhe nuk flasin as kur përballen me drejtësinë, se sikundër e thamë edhe drejtësia është e kapur po prej njëshit. Çdokush prej tyre mendon, se është më mirë, qoftë të bëjë edhe ca vjet burg, sesa denoncimi dhe humbja e milionave të fituara pa djersë. Të mos flasim pastaj për kërcënimet për jetën, familjen etj. Milionerë ka në të gjithë krahët e politikës shqiptare, por kjo e rilindësve ka kaluar çdolloj kufiri dhe përqendrimi i pushtetit në një dorë nuk bën gjë tjetër veçse fuqizon edhe me milionerët, shërbyesit e devotshëm të njëshit.
…Ndaj po boshatisen territoret e vendit?
Besoj se është e qartë, nga sa thashë më sipër, se një vend në të cilin qoftë pushteti, qoftë pasuria, përqendrohet vetëm në disa duar, në majën e piramidës, do të sjellë padyshim rrënimin ekonomik të masës së gjerë të popullit. Në një vend ku drejtësia nuk funksionon, ku për një padrejtësi nuk gjen dot zgjidhje, ku interesat e disave, që i shërbejnë verbërisht pushtetit, shpërblehen me projekte, prona, investime dhe të tjerët mezi mbyllin muajin me rrogat e pensionet e ulëta, ku për një shërbim minimal në çdo zyrë shtetërore duhet të njohësh ose të paguash, ku për të zgjidhur një problem mjekësor duhet t’i drejtohesh privatit, sepse shërbimi shëndetësor publik le shumë për të dëshiruar, ku nuk ndiqen politika në favor të prodhimit bujqësor e industrial vendas, por ligjet e posaçme për të favorizuar servilët e pushtetit, ku arsimi është lënë krejtësisht pas dore dhe sot kemi rreth 44 mijë analfabetë dhe mbi të gjitha ku është rrënjosur mentaliteti se mënyra më e lehtë për t’u pasuruar nuk është puna, por droga, ku më parë bëhen antiligje se si t’i shmangesh ligjet dhe ilegjitimiteti është kthyer në normalitet, padyshim që njerëzit do të ikin nga sytë këmbët.
Në ditët e sotme nuk të vrasin njësoj si Enveri me plumb, por Kryeministri të vë tritolin, të rrënon hotelin si në rastin e “Prestige”, nuk të punëson, të godet në fytyrë siç bëri me liderin e PD-së derisa shuhet zëri i së vërtetës. A bëhet kështu diktatura?
Natyrisht, diktatura nuk vendoset në një ditë, ajo parapërgatitet dhe do kohën e saj. Sot në Shqipëri nuk të burgos njeri për një fjalë goje, madje të nxitin të flasësh sa më shumë, qoftë edhe kundër pushtetit, deri në pikën që nuk e cenon atë, nuk të pushkaton kush për bindje politike, por ka mënyra të tjera shumë herë më të stërholluara për të bërë të heshtësh. Një nga mënyrat është mbyllja e gojës përmes kafshatës së bukës. Sot “detashmenti i kuq” i patronazhistëve është i njëjtë, në mos më i rrezikshëm se radha e vullnetarëve të Enverit. Dikur të shtetëzonin pronën dhe e njëjta gjë ndodh edhe tani, por me justifikimin e investimeve strategjike ose kur i kundërshton të vënë edhe tritolin, pa respektuar asnjë të drejtë njerëzore apo ligjore.
Në vendosjen e diktaturës, padyshim qe rol luan individi dhe subjekti politik që e mbështet, por edhe masa e gjerë e njerëzve, të cilët mësohen me të keqen, dhe për interesa të vogla të çastit, bëjnë lëshime për sa i përket tsë drejtës dhe lirive të tyre. Besimi i verbër, pa vënë më parë në punë arsyetimin, te një subjekt a individ, rrjedhimisht të çon në nënshtrim, i hap rrugë diktaturës. Shto pastaj këtu edhe makinerinë e stërmadhe të pushtetit që drejton dhe i imponohet individit nëpërmjet institucioneve të kapura dhe kuadri i diktaturës nuk mbetet thjesht një nocion abstrakt, por bëhet realitet. Pra, diktatura realizohet me lëshimin e të drejtave dhe lirive individuale, akumulimit të pushtetit dhe pasurimit në pak duar, nëpërmjet ngulitjes së një mentaliteti nënshtrues nëpërmjet parasë, kërcënimeve, dhunës verbale e fizike dhe më pas edhe në eliminimet fizike. Për fat të keq, ne jemi në këtë rrugë.
Si mund të hidhet në erë një resort si “Prestige” pa vendim gjykate?
Nuk më çuditi aspak ajo që ndodhi me “Prestige”, sepse ishte e paralajmëruar, qëkurse ka ndodhur më parë, në raste të tjera, sa herë ka qenë në kundërshtim me interesat e pushtetit personal. A nuk u prish edhe teatri në paligjshmëri të plotë dhe për kapriçon e një njeriu. Dhe të mos harrojmë që teatri nuk ishte pronë private, por publike, që ishte edhe më e rëndë sepse prona publike konsiderohet mall pa zot dhe trajtohet si pronë private. Në protestën tonë për Teatrin ne kemi thënë që duhet të reagojmë të gjithë, sepse nesër e keqja do t’u vijë te dera e shtëpisë. Dhe realisht ashtu po ndodh, indiferenca sjell pasoja dhe e keqja sa vjen dhe është më e vështirë të ndalet. Për këtë, të gjithë duhet të jemi të vëmendshëm për zgjedhjet që bëjmë.
Nga tritoli, Kryeministri kaloi në dhunë fizike. Çfarë do të thotë për një vend ku dhunohet fizikisht lideri i opozitës Sali Berisha?
Për mua dhuna që u ushtrua kundrejt liderit të opozitës është një akt kriminal, qoftë edhe sikur të kryhej kundër vetëm një opozitari të thjeshtë, jo më pastaj kundër liderit të saj. Në kulturën tonë respekti ndaj dikujt rritet me kalimin e viteve dhe goditja e një njeriu në moshë është e pafalshme, aq më tepër kur bëhet fjalë edhe për dikë, që mirë ose keq, ka drejtuar vendin. Ajo goditje mund të ishte edhe fatale prandaj e bën aktin edhe më të rëndë. Por me sa duket ky ka qenë edhe synimi i atyre që e kanë nxitur të kryejë atë akt. Me siguri urdhëruesit kanë dashur të krijonin rrëmujë, që të diskreditonin opozitën në sytë e ndërkombëtarëve dhe më pas të justifikonin dhunën, ta legjitimonin atë.
Të kishin dorë të lirë për të bërë reprezalje kundrejt gjithë kundërshtarëve të pushtetit të tyre të korruptuar. Ai ishte një skenar tipik mafioz, që për fat të mirë dështoi, falë edhe pjekurisë së opozitës dhe liderit të saj. Kjo nuk është hera e parë që ushtrohet dhunë nga pushteti dhe le të kujtojmë këtu agresivitetin e forcave te rendit te 5 maji, “Astiri”, Teatri ose kudo ku ka kundërshti. Shikoni edhe gjuhën agresive, konceptin e kryeministrit kur thotë se me mua asgjë nuk zgjidhet duke protestuar ose duke m’u kundërvënë, por duke m’u bindur. Prej këtu e ka zanafillën dhuna, që më pas zbatohet egërsisht prej atyre që janë me poshtë.
Nëse Shqipëria nuk ndryshon, a rrezikon të shkojë ose në diktaturë ose në destabilizim? A po sundon Edi Rama si diktator?
E thamë edhe më sipër që diktatura është e mundur me mënyrën se si vepron pushteti dhe mbase në formë nuk është si ajo e dikurshmja, është një diktaturë më “elegante”, por që në thelb mbetet e njëjta. Skandalet këtu nuk kanë të sosur dhe kurrkujt nuk i hyn gjemb në këmbë, ose dënohen ca cironka dhe peshkaqenët vazhdojnë të bëjnë kërdinë. Këtu po shitet vendi, po shpërbehet gjithçka që ka të bëjë me kombin. Vendi po drejtohet me dorë fort ku gjithçka e vendos njëshi. Ne kemi një Parlament në maxhorancë, që të thuash është i pagojë i bën një lëvdatë.
Maxhoranca e sotme është po aq përgjegjëse sa vetë njëshi, kur merr vendime e aprovon ligje që janë në kundërshtim me interesin e përgjithshëm publik, interesat e kombit. Të gjithë ata po ndihmojnë që vendi të hyjë në një rrugë pa kthim, ku ose do të vendoset përfundimisht diktatura ose do të ketë destabilizim. Shikoni se si papagajtë e Parlamentit dhe qeverisë përsëritin qoftë me fjalë, por edhe me veprime e deri gjeste njëshin e tyre, për të mos folur pastaj për krahasimet idiote me figura të pakrahasueshme ose justifikime fëmijërore si ajo e operimit të gojës. Po ashtu, një hap i rëndësishëm drejt diktaturës është edhe eliminimi ose caktimi i opozitës. Në gjithë këto vite sekti rilindës ka punuar në mënyrë sistematike për të përçarë opozitën. Këtu ka një faj të madh is-drejtuesi i opozitës, i cili u bë palë dhe lëshoi pe deri sa opozita thuajse u shkatërrua.
Opozita duhet të jetë e përgjegjshme dhe nuk duhet të bëjë marrëveshje me maxhorancën për interesa të vogla partiake, të çastit, sikundër ka ndodhur në të shkuarën, por të reagojë e veprojë për hir të qytetarëve, për hir të kombit, që nesër kur të jetë në njërin krah ose tjetrin, të mos penalizohet. Po ashtu një rol në konsolidimin e këtij pushteti të korruptuar kanë luajtur dhe luajnë edhe të huajt, ambasadat e tyre këtu, që nuk vënë re korrupsionin galopant, mbushjen e vendit me drogë, mosfunksionimin e shtetit ligjor, por mbështesin pa kushte pushtetarin e radhës. Nuk do të çuditesha aspak nëse nesër do të zbulohej që edhe ata janë të korruptuar, sikundër po ndodh edhe në Parlamentin Europian, ku së fundi u denoncua një skandal korrupsioni me Arabinë Saudite.
A ka PS-ja pushtetarë të kriminalizuar? Pse nuk penalizohen të korruptuarit?
Me vjen keq ta them, por unë nuk shoh Parti Socialiste. Unë shoh vetëm sekt rilindës, që nuk ka asgjë socialiste, as në mentalitet, as në organizim dhe as në veprim. Një parti që nuk bën zgjedhje prej vitesh, ku ministrat e marrin vesh se janë ngritur ose ulur nga detyra nëpërmjet televizionit, ku deri dhe fshesarin e institucioneve e vendos kreu i partisë, në bazë të interesave të veta personale, nuk ka e nuk mund të ketë veçse një emër, sekt i drejtuar prej bariut të gjithëpushtetshëm.
Për sa i përket kriminalizimit, ata janë të gjithë të kriminalizuar, përderisa vetëm ngrenë dorën për të votuar gjithçka, qoftë e ligjshme apo e paligjshme. Interesat mafioze janë sheshit, pastrimi i parave të pista po ashtu, cili socialist qoftë edhe ka mjaullitur për të kundërshtuar. Si asnjëherë në jetën politike të këtyre 32 viteve, një parti ka pasur kaq deputete, ministra e kryetarë bashkish të inkriminuar në afera korruptive. Është e jashtëmendshme që një person i dënuar për shfrytëzim prostitucioni jashtë vendit, të marrë qoftë edhe një funksion publik, jo më pastaj të jetë kryebashkiak, apo deputet a ministër. Dhe këtu faji nuk është aspak individual, sikundër përpiqet ta mbulojë Kryeministri. Jo, ai është faj i gjithë strukturave të atij subjekti politik, që nuk ka bërë verifikimet e duhura.
Të mos fshihemi pas gishtit. Të gjithë e dinë se si është pasuruar njëri e tjetri, se ç’punë ka kryer dhe askush nuk mund të justifikohet me faktin se ka certifikatë pastërtie. Nëse e ka marre atë certifikatë me pa të drejtë, përse nuk është dënuar ai që e ka lëshuar? Në një vend normal, kur një ministër hyn në burg, bie qeveria, ndërsa këtu ndodh e kundërta, qeveria dhe pushteti i saj forcohen edhe më. Kjo nuk është normale. Kjo ka të bëjë me lidhjen e pushtetit me mafien. Ato janë të lidhura e mbajnë njëratjetrën. Për këtë nuk penalizohen të korruptuarit dhe mafiozët bredhin lirshëm, madje janë në majat e pushtetit.
Si duhet të reagojë një opozitë që dhunohet politikisht dhe fizikisht duke arritur deri në aktin e grushtit ndaj kreut demokrat, Berisha? Si mund të rrezohet Edi Rama nga pushteti?
Shpesh dëgjoj të flitet për protesta paqësore, për rrëzimin e pushtetit pa dhunë, ruajtjen e qetësisë, sepse në të kundërtën bëjmë figurë të keqe te të huajt etj. Ne protestuam e vazhdojmë të protestojmë në mënyrën më paqësore dhe më të kulturuar, që Shqipëria ka parë ndonjëherë. Tani beteja jonë është ligjore. Po cili është përfundimi? Ata jo vetëm nuk respektuan të drejtën tonë për të protestuar, por erdhën dhe duke shkelur çdo ligj të këtij vendi, prishën teatrin kur njerëzit ishin ende brenda.
Ky është një krim monstruoz dhe i pafalshëm. Po ashtu, shteti i së drejtës nuk funksionon edhe pse Gjykata Kushtetuese na dha të drejtë, edhe pse kallëzimet janë bërë kapicë. Tani unë drejtoj pyetjen: çfarë duhet bërë tjetër? Si duhet vepruar? Ç’duhet të bëjë qytetari i thjeshtë kur i shkelen të drejtat dhe askush nuk do t’ia dijë? E njëjta gjë ndodh edhe me opozitën. Ç’duhet bërë me një pushtet autoritar të pandjeshëm, shurdh. Makineria e stërmadhe e dhunës po përdor te gjitha mjetet për ta mbajtur pushtetin me çdo kusht. Kështu që detyra e parë është e qytetarëve dhe e opozitës që të ngrihen në një revoltë të përgjithshme, në një mosbindje civile dhe po qe nevoja duhet edhe të përplaset pa frikë me represionin e egër policor.
Për këtë së pari duhet vrarë frika, duhet të ndërgjegjësohen njerëzit, që paratë ose ajo çike mirëqenie që kanë, nuk është frut i zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm, të bazuar në punën e ndershme, por një ekonomie që përdor paratë e pista të fituara me ligjet e mafies. Kjo është një gangrenë, që do të vazhdojë të gërryejë shoqërinë deri në shkatërrim. Po ta kisha formulën se si rrëzohet Edi Rama, të jeni të sigurt, që nuk do ta mbaja të fshehtë, por gjithsesi ai nuk është as i pathyeshëm, as i parrëzueshëm, madje mbase është më i pak i fortë se ç’duket ose dhe i dobët, që mund të bjerë qoftë edhe më mobilizimin e parë të përgjithshëm. Panorama