KAMËZ

Një 61-vjeçar ka rënë në pranga, pasi akuzohet se kërcënoi për shkak të detyrës punonjësit e bashkisë Kamëz. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Valiasi”, u arrestua shtetasi me inicialet R.S., banues në Valias i ri.


Ndërkohë, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pushkë dhe fishekë luftarakë. Ky shtetas është konfliktuar për shkak të detyrës me punonjësit e Bashkisë Kamëz, të cilët po kryenin punime në një tokë në kufi me tokën e shtetasit R. S., dhe gjatë momentit që ky shtetas po futej në banesë i ka kërcënuar me fjalë për jetën punonjësit e Bashkisë Kamëz.

Me marrjen dijeni për rastin, në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë dy shërbime të patrullës dhe specialistë për parandalimin dhe hetimin e krimit, të cilët kanë parandaluar përshkallëzimin e konfliktit dhe gjatë kontrollit të banesës dhe ambienteve në pronësi të këtij shtetasi, Policia gjeti një armë zjarri pushkë dhe fishekë luftarakë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. S., për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.
(ed.me/BalkanWeb)



Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb