TIRANE

Kreu i PAA-së, Agron Duka ka reaguar përmes një statusi në facebook pas kërkesës së PS për shkarkimin e Arben Malajt nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë. Duka shkruan se pas Presidentit, radhën për t’u shpallur armik publik e ka Arben Malaj, ndërsa thekson se argumentet e PS për shkarkimin e tij, dorëzuar tashmë në Kuvend, janë paradoksale dhe qesharake.


“Pas Presidentit, radhën për t’u shpallur armik publik e ka Arben Malaj, anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Si në rastin e Presidentit, vetë e kandiduan, vetë e votuan dhe vetë po kërkojnë ta shkarkojnë. Lind pyetja: Po me Arbenin ç’patën?


Pretendimi se Malaj ka kryer ‘shkelje të rënda të etikës’, pasi ka nënvizuar problematikat e shumta të kësaj mazhorance, është paradoksale dhe qesharake. Sidomos kur këto akuza ngrihen nga një shumicë e përgjuar duke shkelur me këmbë lirinë e votës. Mendimi ndryshe është një virtyt dhe jo një shqetësim për një shoqëri demokratike. Duhet inkurajuar dhe jo ndëshkuar!”- shkruan Duka.


(BalkanWeb)