Një ngjarje e pazakontë ka qenë ajo që ka rezultuar në shpëtimin e disa emigrantëve shqiptarë që po tentonin të kalonin kanalin e La Manche në mënyrë ilegale.

Mediat ndërkombëtare raportojnë se ka qenë një telefonatë nga Shqipëria ajo që ka çuar në një operacion ndërkombëtar që shpëtoi emigrantët, ngjarje e cila ndodhi në 27 gusht.

Vëllai i një prej personave që ishin në varkë, ka telefonuar numrin e emergjencës në Dover, Delauer, SHBA, duke menduar se po komunikonte me Dover, në Britani. Ngatërresë kjo e ndodhur pasi numri i kontaktit është gjetur nga një kërkim në Google.

Biseda mes shqiptarit dhe punonjëses së ndihmës së shpejtë:
Punonjësja: Ku zotëri? Janë në gjirin e Delauerit, apo jashtë?
Shqiptari: Nuk e di me saktësi. Janë në ujë, në mes të ujit atje në Francë, Angli, në mes.
Punonjësja: A janë këto koordinatat?
Shqiptari: Po.

Duke pranuar se përpjekja për të referuar telefonuesin në numrin e emergjencës së Francës mund të kushtonte kohë të çmuar, që mbase ata që ndodheshin në mes të detit nuk e kishin, operatorja mbajti shqiptarin në linjë dhe u lidh vetë me autoritetet franceze duke u përcjellë të dhënat kritike.

Brenda katër minutave, u vendosën kontakte me disa agjenci, duke përfshirë Rojet Bregdetare të SHBA, Rojet Bregdetare Franceze, Rojet Bregdetare të Madhërisë së Tij në Angli, Qendrën e Koordinimit të Agjencisë Detare dhe Bregdetare të Mbretërisë së Bashkuar dhe stacionet e policisë në Dover, Angli, thanë zyrtarët.

Policia e Dover tha se 15 minuta e 48 sekonda pas thirrjes fillestare, Agjencia Detare dhe e Rojës Bregdetare konfirmoi se ekipet e shpëtimit ishin rrugës për në koordinatat ku ndodhej anija.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb