NDRYSHIM MODELI

Rikthimi i luftës në Europë ka nxitur një zhvendosje gjeopolitike në Berlin, e cila nis me një kthim drejt Lindjes dhe Veriut europian. Këtë vizion të ri, Kancelari Scholz e artikuloi në fjalimin e tij në Pragë në fund të gushtit. Scholz këmbëngul në “Zeintenwende”, ndryshimin e epokës, të shkaktuar nga lufta në Ukrainë.

Ai ka kuptuar verbërinë e hershme të Berlinit ndaj Rusisë së Putinit dhe tani po përpiqet për një zgjerim të BE-së drejt Lindjes, ku bëjnë pjesë Ballkani Perëndimor, Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia, ndërsa Parisi bën thirrje për thellimin e integrimit të institucioneve europiane. Për gati pesëdhjetë vjet, Parisi dhe Berlini i kishin ndarë rolet e veta mjaft qartë: Franca ishte lideri politik në skenën europiane, ndërsa Gjermania luante rolin e fuqisë industriale dhe financiare.

Ribashkimi gjerman e prishi këtë ekuilibër. Gjermania tani synon të luajë një rol politik në proporcion me fuqinë e saj financiare dhe angazhim europian të palëkundur. Për shtatë dekada, dy vende, armiq të betuar prej kohësh, u kthyen në motor të një kontinenti. Por, lufta në Ukrainë po thellon një hendek midis tyre. Më poshtë, po përpiqem të paraqes disa shkaqe, por ato s’janë gjë tjetër veçse një pemë, që nuk e fsheh dot pyllin. Kulmi i kësaj krize qe anulimi i mbledhjes të Këshillit të Ministrave franko-gjerman, i planifikuar të mbahej më 26 tetor.

Takimi u shty për herë të dytë për në janar të vitit të ardhshëm. Arsyeja zyrtare ishte “rendi i ditës i ngarkuar i ministrave”. Ky format diplomatik u zëvendësua me një takim të thjeshtë mes Presidentit Macron dhe Kancelarit Scholz në Pallatin Élysée. Për të lehtësuar pasojat e krizës energjetike, Gjermania ka planifikuar një fond prej 200 miliardë eurosh ndihmë për industrinë dhe shpenzimet familjare pa paralajmëruar Parisin, i cili thotë se kjo mbështetje mund të ndikojnë negativisht në tregjet e BE-së dhe kërkon një përgjigje komunitare ndaj krizës energjetike.

Të dyja kryeqytetet u përplasen edhe për rinisjen e një projekti gazsjellësi mes Spanjës dhe Gjermanisë. Në fushën e mbrojtjes, Parisi kumton se Berlini favorizon blerjet e pajisjeve të zakonshme amerikane në dëm të interesave të industrisë europiane. Në mes të tetorit, u përurua projekti i mburojës ajrore europiane “European Sky Shield Initiative”, që drejtohet nga Gjermania me mbështetjen e sistemit antibalistik amerikan “Patriot” dhe izraelit “Shigjeta 3”. Këtë projekt, Gjermania do ta zhvillojë me katërmbëdhjetë anëtarë të tjerë të NATO-s, por pa Francën.

Gjermania e mori këtë iniciativë se mund ta përballojë financiarisht këtë kapërcim strategjik, sepse, ndryshe nga Franca, ajo nuk është e mbingarkuar me borxhe: borxhi i saj publik arrin në 70% të PBB-së së vet, ndërsa Franca e ka 113%. Parisi i shqetësuar rendit edhe mosmarrëveshje të tjera dypalëshe: në mesin e marsit, Bundeswehri porositi te Lockheed Martin amerikan 35 avionë luftarakë F-35, me të cilët synon të zëvendësojë Tornadot e veta, duke e kaluar avionin europian Eurofighter në plan të dytë, aq më tepër që Gjermania është vetë e përfshirë në konsorciumin europian. Një vit më parë, po Bundeswehri porositi te Boeing pesë avionë amerikanë për mbikëqyrje detare Poseidon. Si rezultat, projekti fillestar i përbashkët MAWS (Maritim Airborne Warfare System), i hartuar veçanërisht nga kompania franceze “Thales” dhe gjermania “Diehl”, praktikisht është braktisur.

Një projekt tjetër, ai i tankut frankogjerman, që do të realizohet kryesisht nga kompania franceze “Nexter” dhe gjermania “Rheinmetall”, kërcënohet të varroset. Në qershor, kompania “Düsseldorf” prezantoi në mënyrë të njëanshme modelin e saj “Panther KF-51”. Po kështu, po veprohet me programin për modernizimin e helikopterëve “Tiger” (TK3), si dhe me “artileria e së ardhmes” (CIFS/FICS), i cili është shtyrë për përtej vitit 2045. Projekti i avionëve luftarakë SCAF (sistemi i luftës ajrore i së ardhmes), është kthyer në objekt të një “mosmarrëveshjeje” industriale. Së fundmi, në Paris, shqetësimi po rritet nga bashkëpunimi i Gjermanisë me Spanjën, që ka të ngjarë të lërë në hije interesat franceze.

Një qëndrim politik, që ka ndryshuar situatën në marrëdhëniet mes dy vendeve, është zgjerimi i BE-së. Në Pragë, Kancelari gjerman e prezantoi veten si avokat të një Bashkimi Europian të zgjeruar me 36 vende, pa respektuar kërkesën e Francës për forcimin e institucioneve europiane. Ky zgjerim e zhvendos qendrën e gravitetit drejt lindjes. “Unë jam i përkushtuar ndaj zgjerimit të BE-së. Fakti që ajo vazhdon të rritet drejt lindjes, është një situatë e favorshme për të gjithë”, këmbënguli Olaf Scholz më 15 tetor. Por, propozimi i Kancelarit për të kaluar në votim me shumicë të cilësuar në çështjet e politikës së jashtme dhe taksave të Komunitetit nuk është shumë funksional, sepse kërkon një rinegocim unanim të traktateve.

TRI SHTYLLAT E DIPLOMACISË GJERMANE

Për të mbështetur ambiciet e veta në kontinentin europian, diplomacia gjermane do të zhvillohet në tri shtylla tradicionale. Tani, e gjithë elita politike e Gjermanisë ndjen se nuk ka zgjidhje tjetër veçse vendi të bëhet një gjigant politik, fuqi dominuese në Europë dhe në aleancë me Shtetet e Bashkuara. 1. Shtylla e parë: aleancë me Shtetet e Bashkuara. Gjermanët i janë pafundësisht mirënjohës Amerikës për qëndrimin e saj të pasluftës: ajo i mbrojti kundër hakmarrjes ruse; duke inkurajuar ringjalljen e industrisë gjermane brenda një kuadri europian. Gjermanët nuk mund ta imagjinonin të jetonin pa ombrellën e mbrojtjes amerikane.

2. SHTYLLA E DYTË: BINOMI FRANKO-GJERMAN

Kjo lidhje lindi një fundjavë shtatori 1958, në Colombey, të Francës, nga gjenerali De Gaulle dhe Kancelari Adenauer. Presidenti Valéry Giscard d’Estaing dhe Kancelari Helmut Schmidt krijuan monedhën europiane; Presidenti Mitterrand dhe Kancelari Kohl menduan për monedhën e përbashkët. Me Merkelin dhe tani me Sholzin gjërat ndryshuan. Kancelarja nuk u konsultua me Parisin për dy vendimet e saj më të rëndësishme: braktisjen e energjisë bërthamore dhe hapjen e kufijve për emigrantët sirianë. Ndërsa Kancelari Scholz nuk u konsultua me Presidentin Macron për mburojën raketore. Por, gjermanët janë mbështetës të BE-së dhe do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me Francën.

3. SHTYLLA E TRETË: OSTPOLITIKA E WILLY BRANDT

Gjermania ka qenë partneri kryesor ekonomik i Rusisë. Por, tani që Moska është kthyer në një vend imperialist agresor, Ostpolitika ka bërë një kthesë njëqind e tetëdhjetëgradëshe. Ajo po bashkëpunon shumë ngushtë me vendet skandinave, baltike dhe të Europës Lindore, kundër ariut rus. Gjermania nuk është kundër Francës, por thjesht jashtë Francës. Paraardhësit e Presidentit Macron, për të tërhequr gjermanët në një partneritet si ‘i barabarti me të barabartin’, i shoqëruan fjalët edhe me arritje. Sot, jemi ende në fazën e fjalëve.

MACRON DHE SCHOLZ ZVOGËLOJNË SHENJAT E NJË PËRÇARJEJE

Presidenti francez dhe Kancelari gjerman kanë hedhur poshtë pretendimet se marrëdhënia e tyre është në krizë. Ata kanë deklaruar se po bashkëpunojnë ngushtë për sigurimin e energjisë në hapësirën e BE-së, për problemin e rritjes së çmimeve dhe për projektet e përbashkëta të armatimit. “Gjermania dhe Franca janë bashkë dhe po i trajtojnë sfidat bashkërisht”, thotë Kancelari Scholz në “Twitter”.

Sidoqoftë, trashëgimtarët e një bashkëpunimi të gjatë, si Presidenti francez, ashtu dhe Kancelari gjerman, e dinë se duhet të rindezin zjarrin brenda tyre dhe të ndjekin rrugën, që shtroi ‘Traktati i Ahenit’ mbi bashkëpunimin dhe integrimin franko-gjerman në janar 2019. Nga ana tjetër, shumë gjëra funksionojnë, si: bashkëpunimi ekonomik, transporti dhe arsimi. Nëse takimi i të dy qeverive është shtyrë, kjo do të thotë se të dy palët duan të arrijnë një rezultat ambicioz, që do të pasohej me efekte konkrete për të çuar Europën përpara, siç është plani historik i rimëkëmbjes i miratuar në verën e vitit 2020. Studiuesit e çështjeve europiane janë të mendimit se edhe nëse binomi franko-gjerman ka probleme, “do t’i bëjë ballë”.

DREJT LINDJES, PSE?

Me luftën në Ukrainë, vëmendja e Europës është zhvendosur në Lindje dhe Gjermania, që ndodhet në ‘lindje të perëndimit’, e kupton dhe po e merr parasysh këtë realitet, e kundërta do të thotë të mos kuptosh historinë. Është fakt se interesat ekonomike të kompanive të mëdha gjermane ndonjëherë e kanë shtyrë Berlinin drejt një forme tolerance përballë teprimeve autoritare rajonale. Falë fuqisë së tyre punëtore të aftë dhe të lirë, vendet e Europës Qendrore e kanë rritur shumë aftësinë konkurruese të industrisë gjermane.

Këtu, një rol të dorës së parë luan emigrimi i qindra mijëra të rinjve për në Gjermani, si dhe fabrikat nënkontraktuese gjermane në këto vende. Kësisoj, GDP-ja për frymë e Republikës Çeke tashmë e kalon atë të Spanjës, ajo e Polonisë po i afrohet, ndërsa në Hungari së shpejti një kompani kineze do të ndërtojë fabrikën më të madhe të baterive në Europë. Për të njëjtat arsye, Gjermania po mbështet integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Megjithatë, mrekullia e zhvillimit ekonomik të stilit gjerman në Europën Qendrore po arrin kufijtë e veta.

Zona është në një situatë të punësimit të plotë dhe fabrikat janë në kërkim të dëshpëruar për punëtorë, por popullsia vendase për momentin mbetet, kryesisht, jomiqësore. Argumenti tjetër, që shpesh shkon në të mirë të së ardhmes së Europës Qendrore, është pozicioni i saj i hershëm kritik ndaj Rusisë. Lufta në Ukrainë përbën një fitore morale për kryeqytetet, që refuzuan të bënin një pakt me Moskën. “Ne, në Europën Qendrore, e njohim shumë mirë kërcënimin e imperializmit rus dhe pasivitetin ndaj këtij imperializmi. Sot, mund të shohim se zëri ynë ishte profetik”, vëren Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki. Por ideja se Europa Qendrore përbën një bllok homogjen në këtë qëndrim është më tepër një mendim polak.

DEMOKRACI DHE TEKNOKRACI

Krizat e herëpashershme në ngrehinën politike europiane përballin qeveritë demokratike me nevojën në rritje për ekspertizë dhe teknokratë. Në këtë marrëdhënie jo të lehtë midis të zgjedhurve dhe të emëruarve bie në sy edhe një reagim kundër tyre. Shembulli më rrokës është drejtimi i qeverisë italiane nga një teknokrat i talentuar europian, Mario Drahgi, i cili rimodeloi drejtimin qeveritar, duke u mbështetur te teknokratë të pavarur “të profilit të lartë” dhe shpesh nuk i pyeti partitë politike për mendimet e tyre.

Kështu, për 17 muaj, udhëhoqi me sukses krizën pandemike; forcoi dixhitalizimin; thelloi reformat në administratë, drejtësi, konkurrencë dhe politikat fiskale; uli borxhin përmes rritjes ekonomike (6% për gjashtë muaj); ngriti një strukturë të tërë për të zbatuar planin e rimëkëmbjes dhe bëri thirrje për sanksione të ashpra kundër Rusisë dhe mbështetje të fortë financiare dhe ushtarake për Ukrainën. Italia u kthye në një lojtar të madh në Europë dhe në botë, por sistemi partiak e rrëzoi, megjithëse 62.4% e elektoratit të vendit e mbështeste. Gjermania e sotme, e cila gjeneron më shumë se 35% të vlerës së shtuar industriale të BE-së, mbase do të jetë shteti i parë i Bashkimit Europian që do të konsiderojë një drejtpeshim të qëndrueshëm midis të zgjedhurve dhe teknokratëve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb