Të shtënat me armë zjarri në një lokal tronditën zonën e Don Boskos pasditen e kësaj të marte, në Tiranë.

Dy persona mbetën të plagosur. Kastriot Elezi 45 vjeç dhe Ronaldo Metushi 22 vjeç u qëlluan me plumba në këmbë dhe shpatull. 45-vjeçari rezulton me precedent penal dhe ngjarja dyshohet e organizuar dhe jo një konflikt i çastit.

Mësohet se dy të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën dhe ndodhen në kujdesin e mjekëve te Spitali i Traumës.

Autori ka qenë një person i vetëm i cili sipas dëshmitarëve mbante kapele në kokë. Pasi ka lënë të plagosur Elezin dhe Metushin, autori, i paidentifikuar, është larguar me një automjet tip “Volkswagen Golf”, duke humbur gjurmët.

Disa minuta pas ngjarjes, një automjet u raportua se po digjej në zonën e Kamzës. Makina dyshohet e autorit të plagosjes në Don Bosko, ndërsa BalkanWeb mëson se brenda automjetit është gjetur edhe arma e zjarrit tip pistoletë.

Tiranë/Informacion paraprak

Më datë 03.09.2024, në Don Bosko, në afërsi të OSHEE, janë plagosur me armë zjarri shtetasit K. E., 45 vjeç, dhe R. M., 22 vjeç, të cilët ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb