Nga: MIMOZA KOÇIU*
Tani që Prokurori i Përgjithshëm e ka bërë lëvizjen e vet, me kërkesën për arrestimin e dy deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, topi ka kaluar në fushën e politikës. Nga ajo që do ngelet në analet e politikës shqiptare si çështja “Doshi”, së pari është finalizimi ende për t’u parë i një historie të paprecedentë, që përfshiu në llumin e vet këtë mazhorancë politike; e së dyti, impenjimin energjik brenda llojit politik, si të sulmit, ashtu edhe të mbrojtjes, në një stil të pastër shantazhi mafioz, e aspak politik. Por teksa çështja “Doshi” po tërhiqet zvarrë në dyert e Parlamentit të Shqipërisë, ka një zhvillim jo aq të zhurmshëm, por me efekt më të fortë.
Bëhet fjalë për sinjalet e pangatërrueshme që ka lëshuar ambasada e SHBA-ve në Tiranë. Mesazhe që pas dyerve të mbyllura ku janë thënë copë, janë reflektuar me rishikimin e listës së grupit parlamentar të miqësisë Shqipëri-SHBA, konkretisht me heqjen nga lista të gjashtë deputetëve, tre të Partisë Socialiste e tre të Lëvizjes Socialiste për Integrim, mes tyre dy deputetët Tom Doshi e Mark Frroku, për të cilët Prokurori i Përgjithshëm i kërkon lejen Kuvendit për arrestim. Të dy këta deputetë janë hequr vetëm nga kjo listë, e jo nga listat e tri grupeve të tjera parlamentare të miqësisë ku kanë zgjedhur të jenë. Duket se SHBA e kanë ndarë mendjen që, ndryshe nga kryetarët e partive politike, t’i mbajnë vetë larg deputetë të caktuar. Në gjuhën politike e diplomatike, kjo është një shuplakë jo e vogël për ata që i kanë sjellë në parlament, por edhe shenja e qartë se ky është një proces që ka nisur tashmë, e që nuk kthehet dot mbrapsht.
Që çështja “Doshi” nuk duket një “hall”, që do kapërcehet fort lehtë për shumicën qeverisëse, kjo po shihet qartë ditë pas dite. Por krahas saj, numërimi ka nisur mbrapsht për procesin e spastrimit të radhëve të politikës nga elementë që nuk kanë asnjë lidhje me të.
E në këtë pikë, pyetja një milionë dollarëshe është se a ia mban politikës të shkëputet nga këto prurje? Vështirësia duket se është tek “detyrimi”, që ndiejnë ata që i kanë sjellë në këto funksione. Rezoluta parlamentare e dhjetorit të vitit të kaluar, me të cilën palët u impenjuan ligjërisht për dekriminalizimin e parlamentit është një tjetër instrument konkret që nuk anashkalohet dot. Kjo, sepse kriminalizimi i vendimmarrjes në Shqipëri, si në nivel qendror, ashtu edhe lokal i jep Shqipërisë një profil sui generis, që na shquan ndërkombëtarisht. Nëse në vendet e zhvilluara, penetrimi i elementëve të tillë në vendimmarrje bëhet me akte parandaluese, në Shqipëri duhet kuruar postfaktum. Spastrimi i vendimmarrjes në këtë vend nga elementë me rekorde kriminale po zvarritet dukshëm së pari sepse detyrimi ndaj këtyre individëve, qëndron mbi ndjenjën e detyrës politike, e së dyti sepse politika refuzon me kryeneçësi procesin krejt njerëzor Platonian të njohjes së vetvetes. Të njohësh vetveten në rastin konkret nënkupton pranimin e faktit kokëfortë se 140 deputetët e Kuvendit të Shqipërisë me virtytet e mëkatet e tyre janë produkt i pastër i kryetarëve të partive politike, që me ndryshimet kushtetuese të 21 prillit 2008, i dhanë ligjërisht vetes plotfuqinë që të hartojnë lista të mbyllura, duke garantuar kësisoj që individë të tillë të hyjnë të sigurt në parlament. Edhe pse nuk duket e afërt dita kur kryetarët listahartues do marrin përgjegjësinë duhet të vijë, bashkë me ndjesën publike për përzgjedhjet që kanë bërë. Në mënyrë krejt providenciale, kostot e këtyre përzgjedhjeve me llogari krejt të ngushta të karriges së pushtetit, po i provon në kurriz me çështjen “Doshi” kjo mazhorancë qeverisëse.
Por njohja e vetvetes duhet bërë deri në fund nga i gjithë spektri politik, sepse deputetë “të fortë”, ose duke huazuar një eufemizëm të Artur Zhejit, “njerëz të aksionit” ka edhe në listat e partive të tjera parlamentare, përveç dy partive më të mëdha PS e PD. Ata ulen në parlament përkrah kryetarëve që i kanë vënë në lista, e në një farë mënyre kanë përzgjedhur edhe t’i kenë në krah, si të barabartë mes të barabartëve. Prandaj në një farë mënyre nuk janë jolegjitime “ankesat” që bëjnë sot Tom Doshi e Mark Frroku, se po të ishte për shpifje, gjysma e politikanëve do duhej të shkonin në burg. Fundja, pse të mos trajtohen njëlloj të barabartë, pra me të njëjtin standard si kolegët e tyre, që Zheji i quan “njerëz të mendimit”?
Nuk bëhet më fjalë për raste sporadike, “të diktuara” nga nguti i fushatës elektorale, por për individë me profil të ngjashëm të dyshimtë, pa asnjë lloj pasioni militant partiak, që vazhdojnë të emërohen në poste të larta të vendimmarrjes qendrore e lokale. Individë të tillë e kanë fuqizuar ndikimin e tyre pranë eksponentëve të lartë politikë, aq sa vetë kryetarët që i kanë vënë në lista apo i kanë emëruar, nuk guxojnë as t’u tërheqin vëmendjen, edhe kur sfidohen publikisht prej tyre pa pikë etike.
Në këtë panoramë, të dëgjosh fjalimet plot pathos të liderëve politikë për reforma, aksione a integrim në Bashkimin Europian, është si të asistosh në një tragjikomedi me aktorë të dobët.
Nga tkurrja e politikës përballë një detyre që tashmë duhet kryer, një “aleat” i fuqishëm publik janë mediat. Ato kanë gjetur kurajën të flasin hapur për persona me rekorde të dyshimta në politikë. Edhe pse Shqipëria jonë është shumë e vogël, që të mos dihet gjithçka për gjithkënd, publikimet në media janë bërë një këmbanë e zhurmshme, se ky realitet i prodhuar nga kryetarët e partive politike për interesa krejt të ngushta të pushtetit nuk justifikohet dot më. Persona të tillë nuk hyjnë në politikë gabimisht, e as si zgjedhje naive e forumeve partiake, por si një përzgjedhje e mirëllogaritur e kryetarëve të partive, të cilët me marrjen e pushtetit, duhet të kthejnë favoret që kanë marrë, me kosto publike.
Prandaj te kurajoja për marrjen e përgjegjësive nga kryetarët e partive nis gjithçka. Vetë ata duhet të korrigjojnë atë sistem nxitës që ngritën vetë, këtë herë për të flakur tej e frenuar prurje të tilla në të ardhmen. Barrierat ligjore janë tashmë një emergjencë, sidomos kur sërish falë mediave, mësojmë se ligjvënës të tillë janë përfshirë në akte të dyshimta, e për shkak të ndikimit të tyre të fortë politik, i janë fshehur publikut. Është e njohur se personazhe të tillë i bashkohen politikës për të rritur influencën, e për t’u siguruar që çështjet kundër tyre të rrëzohen, sepse imuniteti parlamentar mbetet një mburojë e fuqishme, që kapërcen afate e fakte ligjore, shpeshherë me ndihmën e presionit politik.
Që çështja “Doshi” po shfrytëzohet për të nisur një proces dekriminalizimi, kjo nuk ka më dyshime. Për ironi të fatit, por edhe për turp të politikës, procesi nisi si një lëvizje vetëmbrojtëse, a sulmuese e një deputeti, një çështje që mbetet ende për t’u sqaruar.
Në këtë klimë të favorshme, edhe për shkak të aksionit të prokurorisë, ambasadës amerikane, por edhe mbulimit të detajuar të medias, ajo që bie në sy është heshtja e shoqërisë civile. Duket se standardet tona kanë rënë ndjeshëm. I kemi bjerrur rrugës, e nuk po gjejmë kurajën të themi se sa poshtëruese është kjo gjë për çdokënd që investohet intelektualisht për formimin e vet, për këdo që punon fort për një jetë sa më të mirë në këtë vend. Sa fyese është kjo situatë për standardet me të cilat pretendojmë të matemi. Mes nesh nëpër tryeza private, publike e rrjete sociale, tregojmë histori reale, herë me shqetësim e herë me humor, për deputetë e drejtues institucionesh me formim të ulët, e me të kaluar të provuar problematike. Janë individë që nga pozicionet e prapaskenës na kanë dalë përballë si protagonistë e madje, na ofrohen si pjesë e modelit të një Shqipërie të re, që do rilindë. Befasuese është se edhe kur kjo çështje del në rendin e ditës, ka një heshtje të pakuptimtë, si një paralizë e shoqërisë civile. Kjo e fundit tashmë thjesht merret për dore nga qeveria, e çohet në takime me ndërkombëtarët e radhës, si një dëshmi që fizikisht merr frymë në këtë demokracinë tonë.
Në vend të shoqërisë civile flet politika, që veç na jep shembuj të rinj të këtij realiteti të errët që na ka ndërtuar, me shantazhe alla Sigurimi i Shtetit, e me truket e vjetra të kapërcimit të ligjit, si një sinjal shpresëfikës se kjo klasë politike ka vërtetë shumë për t’i fshehur publikut, e po përpiqet të zvarrisë sa të mundet procesin e pakthyeshëm që i kanë vënë përballë: vetëpastrimin.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: