Pa asnjë një shtrëngim duarsh, presidenti demokrat i SHBA Joe Biden dhe paraardhësi i tij republikan Donald Trump u përballën të enjten mbrëma në telekonferencën e tyre të parë përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit. Dy kandidatët u përplasën për shumë çështje: ekonominë, emigracionin dhe luftërat në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme.

“Inflacioni po vret vendin tonë,”, tha që në nisje të fjalimit ish-presidenti 78-vjeçar, i cili u shfaq i qetë duke përsëritur një argument që ai e di se rezonon me amerikanët, duke argumentuar se Biden ka bërë një “punë shumë të keqe” në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti 81-vjeçar demokrat ishte i ngjirur nga një kollë në minutat e para të debatit, ndërsa në një moment u duk se kishte humbur mendjen. Megjithatë, ai më pas u shfaq më i kompozuar dhe shpesh sulmonte kundërshtarin e tij. Ndër të tjera, ai fajësoi Trumpin për rolin e tij në përmbysjen nga Gjykata e Lartë të së drejtës kushtetuese për abortin. “Është e tmerrshme ajo që keni bërë”, tha presidenti demokrat i Shteteve të Bashkuara, duke iu drejtuar kundërshtarit të tij republikan në zgjedhjet e nëntorit.


Ai gjithashtu akuzoi Trumpin se “gënjente” për krizën e emigracionit dhe lidhjen e saj me krimin. Narrativa se emigrantët e paligjshëm janë të mirëpritur në Shtetet e Bashkuara “nuk është e vërtetë”, theksoi Biden. “Nuk ka asnjë provë për të mbështetur atë që ai thotë. Edhe një herë ai po e tepron, po gënjen”, tha ai për Trump gjatë telekonferencës së organizuar nga CNN.


Në një përpjekje për të portretizuar 81-vjeçarin Biden si një udhëheqës të dobët, Trump argumentoi se ai po sillet “si një palestinez” kur ai duhet ta lërë Izraelin “të përfundojë punën” me Hamasin. “Ai është bërë si një palestinez, por nuk e duan sepse është një palestinez shumë i keq. Ai është i dobët”, pohoi Trump, për të marrë më vonë nga Biden përgjigjen se ai kurrë nuk kishte dëgjuar kaq shumë marrëzi më parë. Manjati republikan pohoi gjithashtu se lufta në Ukrainë nuk do të kishte shpërthyer kurrë nëse do të kishte një udhëheqës të vërtetë në Shtëpinë e Bardhë dhe u zotua se, nëse zgjidhej president i SHBA-së, ai do t’i jepte fund “luftës midis Putinit dhe Zelenskyt” përpara se të merrte zyrtarisht detyrën, më 20 janar. Donald Trump, megjithatë, u përmbajt nga angazhimi për të njohur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të nëntorit. Duke iu përgjigjur një pyetjeje, kandidati republikan tha se do të pranonte rezultatin “nëse zgjedhjet janë të drejta”.


“Unë dyshoj se do ta pranoni atë,” komentoi më vonë Joe Biden, sepse “ju jeni shumë ankues”, duke kujtuar se paraardhësi i tij nuk e kishte pranuar humbjen në zgjedhjet e mëparshme. Një debat i dytë midis Biden dhe Trump është planifikuar në rrjetin ABC më 10 shtator, dy muaj para zgjedhjeve vendimtare presidenciale në SHBA.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: